“Finalja” e mbijetesës mes Flamurtarit dhe Vorës, që hapte javën e 31-të të Superiores, nuk ka pasur fitues, pasi është mbyllur me shifrat 1-1.
Një rezultat që i ka shkuar më për shtat ekipit të Vorës që mbetet përsëri larg zonës së rënies direkte nga Superiorja, ndërsa komplikon gjërat për vlonjatët të cilët nuk i largohen dot fundit e tani rrezikojnë të humbasin edhe më shumë kontaktin me ekipet që kanë përpara në klasifikim.
Dy golat erdhën në startin e ndeshjes, ndërsa më pas Vora u mbrojt me rregull duke mos lejuar vlonjatët të sulmonin në pjesën e parë.
Këta të fundit provuan gjithçka për gjithçka në fraksionin e dytë të lojës, edhe duke shtuar forcat në repartin e avancuar.
Por Harizaj ishte i pakalueshëm dhe ndali tentativat drejt portës së tij për të mbrojtur këtë barazim.