Grab*itje si në film në Prizren: bllokojnë rrugën me gurë, dalin me kallash, dy të mi*tur në radar të policisë

- Gazeta e Prizrenit

Grab*itje si në film në Prizren: bllokojnë rrugën me gurë, dalin me kallash, dy të mi*tur në radar të policisë

Një grabitje e organizuar dhe me elemente të rrezikshme është regjistruar pasditen e së shtunës në Prizren, ku dy persona të armatosur kanë ndalur një veturë duke bllokuar rrugën me gurë dhe kanë kërcënuar viktimat me armë zjarri.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:15 në zonën mes fshatit Zym dhe Bregdri, konkretisht në rrugën “Ndre Bogdani”.

Siç mëson Sinjali, të dyshuarit kishin vendosur paraprakisht gurë në rrugë, duke detyruar një veturë që po kalonte të ndalojë. Në momentin kur dy personat që ndodheshin në veturë kanë zbritur për t’i larguar pengesat, janë përballur me dy persona të armatosur.

Nën kërcënimin e armës, viktimat E.P. (57 vjeç) dhe D.P. (41 vjeç) janë detyruar të dorëzojnë paratë që kishin me vete, përkatësisht rreth 65 dhe 70 euro.

Pas grabitjes, njëri nga të dyshuarit ka shtënë disa herë me armë automatike në drejtim të malit, duke krijuar panik dhe duke u larguar më pas në të njëjtin drejtim.

Policia është njoftuar menjëherë dhe ka dalë në vendin e ngjarjes brenda pak minutash, ku janë gjetur edhe prova materiale, përfshirë një gëzhojë që dyshohet të jetë e armës automatike.

Njësitet e hetimeve rajonale dhe të stacionit policor kanë nisur menjëherë kërkimet në terrenin malor për kapjen e të dyshuarve.


Hetimet kanë çuar deri te dy persona të mitur nga fshati Krajk, N.S. (18 vjeç) dhe B.S. (16 vjeç), të cilët janë vënë në fokus të hetimeve si të dyshuar për këtë rast.

Me autorizim të prokurorit të krimeve të rënda, është kryer kontroll në shtëpinë ku ata banojnë, ku janë gjetur municion dhe pjesë të armëve të zjarrit, të lidhura edhe me një rast tjetër.

Po ashtu, ndaj të dyshuarve është kryer testi i parafinës për zbulimin e grimcave të barutit, ndërsa janë sekuestruar edhe telefonat e tyre për analiza të mëtejshme.

Të dy të miturit janë intervistuar në prani të avokatëve dhe përfaqësuesit familjar, por kanë mohuar përfshirjen në grabitje.

Me vendim të prokurorit, ata janë liruar në procedurë të rregullt për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për zbardhjen e plotë të rastit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. / G.Sinjali



Read it all at Gazeta e Prizrenit