Dorëheqja e Gabriele Gravinës nga posti i presidentit të Federatës Italiane të Futbollit, pas insistimit dhe paralajmërimeve të qarta të shtetit, kanë hapur paralelisht edhe garën për emrin e atij që do të marrë vendin e tij.
Fillimisht mendohej se në krye mund të vinin emra të njohur të futbollit që vinin nga fusha e lojës si Maldini e Del Piero. Por realiteti është krejtësisht ndryshe dhe është e qartë që në Itali kë një luftë për karrige të mirëfilltë dhe për të pasur sa më shumë influencë, duke larguar emra të tillë.
Ditën e hënë në Itali zhvillohet Asambleja e Ligës së Serisë A dhe Interi me Milanin janë venë në lëvizje që të sigurojnë një kandidaturë që u intereson secilës prej palëve për të pasur sa më shumë pushtet në futbollin italian.
“Corriere della Sera” bën të ditur se Xhuzepe Marota është vënë personalisht në lëvizje që të sigurohet se Xhovani Malago, ish-drejtuesi i Komitetit Olimpik Italian dhe një figurë me të cilin ka shumë lidhje, të jetë emri i përzgjedhur njëzëri nga klubet italiane. Ai ka filluar lobimin për të duke menduar që të mbyllë gjithçka që në ditën e Asamblesë.
Megjithatë, kjo lëvizje e shpejtë e Marotës ka gjetur kundërshtinë e klubeve të tjera me emër si Juventus, Parma e Milan, që e shohin këtë si një ndikim të shtuar të Interit në Federatën Italiane.
Ndaj Milani është kundërpërgjigjur duke shtyrë për kandidaturën e një emri që njeh shumë mirë, ish-administratorit të kuqezinjve, Adriano Galiani.
Një lëvizje që praktikisht u mbyll rrugën kandidaturave të mundshme të legjendave të futbolli italian dhe që bën zgjedhjen e presidentit të Federatës thjesht çështje influencash e tavolinash, me futbollin që kalon si zakonisht në plan të dytë. Ndoshta shpjegimi më i qartë se pse Italia humbi trenin e Botërorit për të tretin edicion radhazi.