Adriano Galiani ishte shfaqur në ditët e fundit si një kandidat i mundshëm për president të Federatës Italiane të Futbollit.
Klubi i Milanit kishte nisur të kërkonte mbështetje për ish-administratorin e kuqezinjve në epokën e artë të tyre, pasi e shihnin si emrin e duhur që mund të rivalizonte kandidaturën e mbështetur nga Interi, atë të Xhovani Malago.
Por sot, vetë Galiani duke folur për mediat italiane, ka sqaruar se nuk ka ndër mend të marrë pjesë në zgjedhjet për president të Federatës. E për më tepër, ai ka mbështetur kandidaturën e zgjedhur nga Interi.
“E kam menduar gjatë dhe jam i nderuar dhe mirënjohës ndaj atyre klubeve që më menduan si kandidat të Lega Serie A për presidencën, por nuk do e pranoj këtë ftesë”, tha ai për “Corriere Dello Sport”.
“Nuk është problem sepse unë nuk kisha bërë asnjë hap para. Ideja kishte lindur nga ndonjë drejtues që më kishte kërkuar thjesht gatishmërinë time disa ditë më parë.
As nuk kam hedhur kandidaturën dhe as nuk kam thënë ndonjëherë “po”, e kisha bërë të qartë se do të mendohesha për të kuptuar se si do të evoluonte situata.
Në fund, ndjej se presidenti më i mirë i mundshëm për FIGC, dhe jo vetëm si kandidaturë nga Seria A, është Xhovani Malago”, tha Galiani duke mbështetur kështu një kandidaturë që i shkon ëpr shtat Interit dhe Marotës i cili ka lidhje me të ngushta me të.