Aliti paralajmëron: Nëse stadiumi nacional nuk nis sivjet, mbetet vetëm iluzion

- Bota Sot

Aliti paralajmëron: Nëse stadiumi nacional nuk nis sivjet, mbetet vetëm iluzion

Sekretari i Përgjithshëm i Komiteti Olimpik i Kosovës, Besim Aliti, në një intervistë për emisionin “SportCast” ka folur për përgatitjet dhe sfidat që e presin Kosovën në organizimin e Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, me theks të veçantë te infrastruktura sportive dhe vendimet strategjike që duhet të merren në vitet në vijim.

Duke u ndalur te çështja e ceremonisë hapëse dhe mbyllëse të Lojërave, Aliti ka theksuar rëndësinë që këto aktivitete kryesore të mbahen në kryeqytet, duke e parë Prishtinën si qendër të padiskutueshme organizative dhe logjistike për këtë ngjarje të madhe sportive.

Ai ka folur edhe për kapacitetet aktuale të stadiumeve në Kosovë, duke vlerësuar se ato nuk i plotësojnë kërkesat që imponon një ngjarje e tillë ndërkombëtare, sidomos në aspektin e numrit të ulëseve dhe standardeve që kërkohen për organizimin e ceremonive të mëdha.

Në këtë drejtim, Aliti ka përjashtuar mundësinë që stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë të konsiderohet si alternativë për ceremoninë hapëse, duke nënvizuar se përmasat dhe kapaciteti i tij nuk janë në përputhje me nevojat reale të Lojërave Mesdhetare.

“Nuk e shoh si alternativë “Adem Jasharin”, absolutisht jo. Lojërat janë Prishtina 2030 dhe minimumi çka është detyrimi të mbahet në Prishtinë është ceremonia e hapjes dhe ceremonia e mbylljes. Pra nuk mendoj që ndonjëherë në ndonjë format do të ishte pajtuar dikush që ceremonia e hapjes mos të mbahet në Prishtinë, duke marrë parasysh që qendra e akomodimit është Prishtina dhe jo vetëm që është Prishtina, po qendra e studentëve është gati se të themi me ecje të lirë, në këmbë, të themi, mund të shkohet deri në stadium. E dyta, nuk e shoh të arsyeshme për arsye të kapacitetit. Nëse nuk gaboj, kapaciteti i “Adem Jasharit’ është 14,000 ulëse. Kapaciteti i “Fadil Vokrrit” është aty, 13,000 ulëse. Pra, atëherë e mbajmë në “Fadil Vokrri”. Nuk, do të thotë, “Adem Jashari” as në aspektin e kapacitetit të ulëseve nuk e kryen këtë detyrë. Sepse i nevojitet një stadium mes 20 e 30.000 ulëse. Po. Ai do të ishte ideal”, tha Aliti në “SportCast”.

Më tej, ai ka theksuar nevojën urgjente për ndërtimin e një stadiumi nacional, duke e lidhur këtë projekt jo vetëm me Lojërat Mesdhetare, por edhe me zhvillimin afatgjatë të futbollit në Kosovë dhe rritjen e kapaciteteve për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare.

Në rast se projekti nuk nis brenda këtij viti, Aliti ka lënë të hapur mundësinë e një plani alternativ, i cili do të përfshinte shfrytëzimin dhe eventualisht zgjerimin e stadiumit stadiumit “Fadil Vokrri”, si zgjidhje e përkohshme për të përballuar kërkesat e Lojërave.

“Unë mendoj që duhet të kemi stadium nacional. Nuk është vetëm për lojëra mesdhetare. Çfarë ndodhi tash me ndeshjen Kosovë-Zvicër? U harxhuan biletat për dy orë dhe tani edhe ti Albert, edhe unë si një njeri që nuk jam fare në Federatë të Futbollit kam pasur 500.000 thirrje a ke bileta. Kosova ka nevojë për stadium më të mirë. Federata e Futbollit, ekipi jonë i futbollit e meriton stadiumin më të mirë. E meriton një stadium minimum 20.000 ulëse deri në 25.000 ulëse, të përafërt siç e ka ajo Tirana. Pra, e meriton. Tash, a mund, a mund të jenë Lojërat Mesdhetare shkaktar që të krijojmë ato kushte më të mira për futbollin në të ardhmen? Pse jo? Pse mos të jetë? Unë mendoj që duhet të punojmë dhe nuk duhet ta lëmë këtë ide të krijimit të stadiumit kombëtar. Unë jam i bindur që ekziston edhe vullnet qeveritar, vullnet komunal, vullnet sportiv që qendra, që stadiumi kombëtar të krijohet dhe të ndërtohet. Por nëse vonohemi edhe një vjet, ajo kalon në iluzion dhe kostot për të ndërtuar një stadium të tillë trefishohen. Pra në qoftë se e nisim sivjet, akoma jam optimist. Në qoftë se nuk nis sivjet, tju kallëzoj drejtën, nuk jam optimist dhe duhet të shikojmë edhe planin B. Plani B unë e shoh “Fadil Vokrrin”, nuk shoh plan B tjetër. Dhe ndoshta zgjerim i “Fadil Vokrrit” të ndonjë tribunës, rritje ndoshta e përkohshme me 5-6000 ulëse dhe të ketë një kapacitet 20.000. Është opsion. Nuk është më i miri, nuk është i preferueshmi, nuk është diçka që futbolli jonë e meriton. Futbolli jonë meriton një stadium serioz dhe ekipi jonë i cili na, na bëri krenarë pa masë meriton një stadium më të mirë”, theksoi Aliti.

Në fund, Aliti ka theksuar se, pavarësisht opsioneve alternative, Kosova meriton një stadium modern dhe funksional, në përputhje me sukseset dhe pritshmëritë e sportit vendor, duke e cilësuar këtë si një domosdoshmëri dhe jo luks.



Read it all at Bota Sot