Gazetari gjerman i Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), Michael Martens shkruan në një artikull të tij se “humbja e pushtetit nga kryeministri hungarez Viktor Orban përbën një goditje, jo vetëm për Hungarinë, por edhe për aleatët e tij kryesorë politikë në Ballkanin Perëndimor”.
Në shkrimin me titull “Rrjeti i Orban në Ballkan është në prag të shkatërrimit”, gazetari gjerman thekson se më të prekurit nga kjo humbje në Ballkan janë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, si dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, të cilët humbasin një nga mbështetësit më të fortë brenda Bashkimit Europian.
“Që nga rikthimi i tij në pushtet në vitin 2010, Orban kishte ndërtuar një rrjet të gjerë ndikimi në rajon, përmes mbështetjes së mediave, organizatave dhe partive me orientim joliberal, shpesh të shoqëruar me financime të konsiderueshme. E ardhmja e këtij rrjeti tani mbetet e pasigurt”, shkruan ndër të tjera Martens.
Më tej gazetari vijon analizën duke thënë se “një nga partnerët më të afërt të tij ishte Vuçiç. Madje, së fundmi, autoritetet serbe raportuan për një komplot të dyshuar ndaj një gazsjellësi që furnizon Serbinë dhe Hungarinë me gaz rus, një zhvillim që u interpretua nga shumë vëzhgues si ndihmë indirekte elektorale për Orban. Ky i fundit falënderoi publikisht Serbinë, duke e cilësuar ndërhyrjen si vendimtare për shmangien e një katastrofe.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, Orban ka qenë një mbështetës i rëndësishëm i Dodik, pavarësisht se ky i fundit është përballur me sanksione dhe ndalime politike. Budapesti ka kundërshtuar vazhdimisht përpjekjet brenda BE-së për ta ndëshkuar atë. Në të kaluarën, Hungaria ka ofruar edhe mbështetje financiare për Republikën Srpska, përfshirë kredi të konsiderueshme për sektorin bujqësor.
Po ashtu, lidhje të ngushta kanë ekzistuar edhe me partinë konservatore VMRO në Maqedoni e Veriut. Një nga rastet më të përfolura ishte ai i ish-kryeministrit Nikola Gruevski, i cili u arratis në Hungari në vitin 2018 pasi u dënua për shpërdorim detyre dhe mori azil politik atje.
Marrëdhëniet mes Orban dhe Mickoskit kanë mbetur të forta, të reflektuara edhe në mbështetje financiare dhe bashkëpunim mediatik. Biznesmenë të lidhur me Hungarinë kanë investuar në media në Maqedoninë e Veriut, duke ndikuar në diskursin publik në favor të aleatëve politikë.
Megjithatë, rrjeti i ndërtuar nga Orban gjatë më shumë se një dekade nuk pritet të shpërbëhet menjëherë. Në vitet e fundit janë raportuar tashmë shenja dobësimi, përfshirë reduktimin e mbështetjes financiare nga Budapesti, pjesërisht për shkak të bllokimit të fondeve nga Bashkimi Europian ndaj Hungarisë për çështje që lidhen me shtetin e së drejtës.
Në Serbi, opozita shpreson se largimi i Orban mund të ndikojë edhe në dobësimin e pushtetit të Vuçiç. Megjithëse vala e protestave kundër qeverisë është zbehur, ajo ka lënë gjurmë, dhe mund të rishfaqet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Pavarësisht paqartësive mbi zhvillimet e ardhshme politike në rajon, një gjë duket e qartë, boshti joliberal në Ballkanin Perëndimor është dobësuar ndjeshëm pas largimit të Orbán nga pushteti”.