Gjashtë zyrtarë policorë, të cilët ishin nën masën e suspendimit, janë rikthyer sot zyrtarisht në detyrat e tyre. Bëhet fjalë për: Albert Kosturi, Gent Nura, Trimor Kepuska, Edion Bajraktari, Artan Maksuti, Argjend Hasani.
Lajmi është bërë i ditur përmes një reagimi publik nga avokatja Aurora Mulhaxha, e cila përfaqëson ligjërisht njërin nga zyrtarët e përfshirë, Edion Bajraktarin.
Sipas mbrojtjes, ky vendim shënon një hap të rëndësishëm në respektimin e procedurave ligjore dhe parimit të prezumimit të pafajësisë për zyrtarët e rendit.
Avokatja Mulhaxha ka mirëpritur vendimin për ndërprerjen e suspendimit, duke theksuar se kjo masë nuk duhet të interpretohej në asnjë moment si fajësi paraprake.
“Ky vendim konfirmon se masa e suspendimit ka qenë e përkohshme dhe në asnjë rast nuk ka përbërë konstatim fajësie. Rikthimi i tyre në punë dëshmon se çdo rast duhet të trajtohet me paanshmëri, mbi bazën e fakteve dhe provave, larg çdo paragjykimi publik,” u shpreh Mulhaxha në reagimin e saj.
Në cilësinë e përfaqësueses ligjore të Edion Bajraktarit, Mulhaxha nënvizoi se ky hap është i domosdoshëm për rivendosjen e dinjitetit profesional të klientit të saj dhe kolegëve të tij brenda institucionit të Policisë së Kosovës.
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka njoftuar se në dy raste të ndara i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për tetë zyrtarë policorë.
Në komunikatën për medie është bërë me dije se njëri rast ka ndodhur në Gjakovë, ndërsa rasti tjetër ka ndodhur në Gjilan.
Komunikata e plotë:
IPK rekomandoi suspendimin e tetë zyrtarëve policorë në dy raste të ndara
Prishtinë/Gjakovë/Gjilan, 25 shkurt 2026
Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve në dy raste të ndara i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për tetë zyrtarë policorë në Gjakovë dhe Gjilan.
Rasti i parë raportohet të ketë ndodhur më 19.02.2026 ku fillimisht një qytetar në Gjakovë është njoftuar për një gjobë për parkim të veturës në vendin ku është e ndaluar. Qytetari kishte shkuar në stacionin policor për të marrë tiketën për kundërvajtje por i njëjti pas kontaktit dhe një bisede me zyrtarët policorë ishte arrestuar si i dyshuar për kanosje.
Hetuesit e IPK-së pas pranimit të informacioneve dhe ankesës për këtë rast kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore përfshirë analizimin e shkresave të rastit, raporteve të zyrtarëve policorë, analizimin e një audio-incizimi etj.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore është vërejtur se raportet e zyrtarëve policorë mbi bazën e të cilave është iniciuar rasti i kanosjes nuk përkojnë me atë që dëgjohet në incizim dhe dyshohet se edhe nuk janë të vërteta.