27 vjet pas luftës, të mbijetuarit e dhunës seksuale ende presin drejtësi dhe kompensim

- Bota Sot

27 vjet pas luftës, të mbijetuarit e dhunës seksuale ende presin drejtësi dhe kompensim

Në Ditën Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë është mbajtur konferencë rajonale me temën "Avancimi i qasjes në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës: Përgjegjësia penale dhe e drejta për kompensim". Në këtë konferencë u tha se 27 vjet pas luftës, shumë raste kanë mbetur të pandëshkuara dhe pa kompensim.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve Torturës (QKRMT), Feride Rushiti, tha se njohja e të mbijetuarve të dhunës seksuale nuk duhet të ketë afat.

"Drejtësia nuk është vetëm një proces i thjeshtë gjyqësor. Ai është moment, kur zëri i tyre dëgjohet, siç tha edhe Vasfija, kur e vërteta del në pah dhe kur dinjiteti fillon të rikthehet për ata që hyjnë në këto procese. Megjithatë, sot pas 27 vitesh që jemi këtu, shumë raste kanë mbetur ende të pandëshkuara dhe pa kompensim. Mungesa e llogaridhënies jo vetëm që e zgjat padrejtësinë ndaj këtij grupi të ndjeshëm shoqëror, por edhe e dëmton besimin në institucione dhe e thellon dhe më tej stigmën sociale. Pikërisht këtu fillon dhe vazhdon misioni i Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës”, tha Rushiti.

Prej kohës kur institucionet vendore kanë marrë përsipër trajtimin e këtyre rasteve, Rushiti shtoi se janë ngritur një mori aktakuzash.

“Kemi katër vendime gjyqësore, kemi një rast të konfirmuar nga Gjykata Supreme dhe kemi rreth 70 gra dhe burra që me kujdes janë përgatitur, është punuar me traumën e tyre dhe tash janë pjesë e dëshmive me shpresë që edhe këto 70 histori njerëzaore të arrijnë të fitojnë drejtësinë. Mirëpo, a jemi të kënaqur me gjithë këto arritje? Pa dyshim që ne i gëzohemi momentin kur të mbijetuarit e marrin drejtësinë, por sido që të jetë sfidat në procesin gjyqësor vazhdojnë”, tha ajo.

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla tha se njohja e së vërtetës mbetet sfidë në shoqëri.

Gërvalla: Dhuna seksuale si armë luftë ka synuar të thyej shpirtin e kombit tonë
(Video) 25:40

"Po harrojmë faktin qe dhuna seksuale si armë lufte kundër grave, vajzave, djemve dhe burrave tanë ka qenë një instrument, i cili ka synuar të thyej shpirtin e kombit tonë. Kushdo, cilado grua, vajzë, fëmijë apo burrë ka mundur të jetë viktimë e dhunës seksuale në vitin 1998/1999. Ka qenë rastësi kujt i ka qëlluar që të jetë në vendin jo të duhur në atë moment. Prandaj, kur diskutojmë për stigmën, të cilën jemi duke e tejkaluar hap pas hapi, ndërkohë që debati shoqëror forcohet gjithëherë më shumë edhe qëndrimi institucional edhe njohja institucionale, të dyja këto shkojnë bashkë, ndërkohë që diskutojmë me të madhe mos të harrojmë që ka mundur të jetë fati i secilës grua, secilës vajzë, secilit burrë dhe djalë në vendin tonë”, tha ajo.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola tha se sfidë mbetet pranimi dhe ndëshkimi i krimit.

Ai shtoi se mbetet thelbësor bashkëpunimi me vendet qe kanë përjetuar krimet si Kosova.

"E vërteta e hidhur është se shumë prej autorëve të këtyre krimeve ndodhën sot në Serbi të mbrojtur nga një shtet që vazhdon të ju ofrojë strehë kriminelëve të luftës, në vend që t’i vëjë përballë drejtësisë. Në këtë drejtim Republika e Kosovës nuk ka qëndruar duarkryq. Gjatë mandatit të kaluar, Ministria e Drejtësisë nën udhëheqjen e tashmë ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ndërmorri hapa të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve tona në ndjekjen e krimeve të luftës, përfshirë krijimin e bazës ligjore për zhvillimin e gjykimeve në mungesë në rast kur fshihen jashtë juridiksionit të Republikës së Kosovës, si dhe zgjerimin e kapaciteteve institucionale për hetimin dhe ndjekjen penale të këtyre krimeve”, tha ai.

Numri i personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth 20 mijë gra e burra.

Për herë të parë publikisht për tmerrin e përjetuar rrëfeu Vasfije Krasniqi në vitin 2018. Më pas, Shyrete Tahiri ka dorëzuar publikisht pranë Prokurorisë Speciale kallëzimin penal për rastin e saj.

Ramadan Nishori nga Drenasi, është burri i parë që foli publikisht për dhunimin seksual, pikërisht më 14 prill të vitit të kaluar që njihet si Dita Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale.



Read it all at Bota Sot