Kryetari i Federata e Futbollit e Kosovës, Agim Ademi, ka zhvilluar një vizitë në regjionin e Mitrovicws, ku në fokus ishte zhvillimi i infrastrukturës së futbollit. Gjatë kësaj vizite, ai zhvilloi edhe një takim me kryetarin e komunës, Faton Peci, me të cilin diskutoi për nevojat dhe mundësitë konkrete për investime në ndërtimin e fushave të reja të futbollit, duke pasur parasysh mungesën aktuale në këtë qytet me traditë sportive.
Megjithatë, theksi kryesor i deklarimit të Ademit ishte thirrja e tij për përfundimin sa më të shpejtë të punimeve në stadiumin Stadiumi Adem Jashari. Ai kërkoi nga Ministria e Sportit dhe të gjithë akterët e përfshirë që të shmangin çdo neglizhencë, duke paralajmëruar se çdo vonesë mund të detyrojë Kosovën që ndeshjet ndërkombëtare t’i zhvillojë jashtë vendit. Sipas tij, vendi aktualisht operon vetëm me një stadium për garat evropiane, çka e bën edhe më urgjente përfundimin dhe licencimin e këtij impianti sipas standardeve të UEFA-s.
“Diskutuam edhe për ndërhyrjet e nevojshme në stadiumin “Riza Lushta” dhe ndërtimin e një fushe stërvitore. Po ashtu shprehëm nevojën që punimet në stadiumin “Adem Jashari”, i cili është në proces të rinovimit tash e sa vite si projekt i Ministrisë së Sportit, të finalizohen sa më shpejtë dhe të licencohet nga UEFA si stadium i kategorisë së katërt. Me këtë rast kërkoj nga Ministria e Sportit dhe të gjithë të përfshirët në këtë projekt që mos të ketë neglizhencë, pasi çdo vonesë mund të na rrezikojë që të detyrohemi të zhvendosemi jashtë vendit, duke pasur parasysh se ende jemi duke operuar vetëm me një stadium për garat evropiane të klubeve dhe të ekipeve kombëtare”, ka shkruar Ademi.
Në kuadër të vizitës, Ademi foli edhe për ndërhyrjet e nevojshme në stadiumin “Riza Lushta”, si dhe për ndërtimin e një fushe stërvitore. Ai theksoi se FFK-ja është e gatshme të kontribuojë në ndërtimin e fushave të reja, duke kërkuar nga komuna identifikimin e parcelave përkatëse, ndërsa shtoi se një fushë futbolli mund të ndërtohet brenda 30 ditësh me kapacitetet ekzistuese të federatës.