Juventus ka nisur lëvizjet e para në prag të merkatos së janarit, duke hartuar skenarë të mundshëm për përforcimin e skuadrës në rast largimesh të rëndësishme.
Klubi bardhezi po përgatitet për mundësinë e ofertave të majme nga Premier League për mbrojtësin brazilian Gleison Bremer. Drejtuesit e Juventusit janë të hapur për një shitje, nëse mbërrin oferta e duhur, ndërsa kanë identifikuar menjëherë zëvendësuesin potencial.
Objektivi kryesor është Kim Min-jae, aktualisht pjesë e Bayern Munich. Mbrojtësi koreano-jugor, që prej vitit 2023 në Gjermani, është një emër shumë i vlerësuar nga trajneri Luciano Spalletti, me të cilin fitoi titullin kampion te Napoli.
Sipas raportimeve, rikthimi i tij në Serie A shihet si një mundësi reale, pasi edhe vetë lojtari do të ishte i gatshëm për një eksperiencë të re në Itali.
Megjithatë, pengesa kryesore mbetet paga e lartë e 29-vjeçarit, që arrin rreth 9 milionë euro në sezon.
Ndërkohë, kartoni i tij konsiderohet më i përballueshëm, me një vlerë që llogaritet rreth 20 milionë euro.