Humbja e thellë 0-3 e pësuar në fushën e Elbasanit, edhe pse ishte në superioritet numerik për më shumë se 70 minuta, e zbriti Partizanin nga 4-shja e parë.
Të kuqtë janë me pikë të barabarta me Dinamon, nga 44, por për momentin janë blutë më mirë me ndeshjet direkt.
Partizani ka humbur terren në klasifikim, pasi në 4 ndeshjet e fundit ka marrë vetëm 2 pikë. Ajo që bie në sy menjëherë kur shikon rezultatet e skuadrës së trajnerit Kërnaja, ka të bëjë me golat e shumtë të pësuar. Janë 9 gola të pësuar në këto 4 ndeshje, me një mesatare mbi dy gola për ndeshje.
Para se të mundeshin me 3 gola nga Elbasani, të kuqtë pësuan një tjetër disfatë, atë në shtëpi kundër Vllaznisë, me rezultatin 0-2. Ky ishte ndoshta edhe rezultati më befasues i këtyre 4 javëve.
Në dy ndeshjet e tjera Partizani ka barazuar me të njëjtin rezultat ndaj Vorës dhe Teutës në transfertë, 2-2. Bilanci është 4 gola të shënuar dhe 9 të pësuar. Qartazi kryeqytetasit kanë problem në prapavijë dhe stafi teknik duhet të ndryshojë diçka për të bllokuar golat e shumtë që pëson skuadra.
Ndeshja e radhës është me Bylisin në “Arena e Demave” dhe në letër mund të konsiderohet një mundësi e mirë për rehabilitim. Jo vetëm për rikthimin te fitorja, por edhe për të mbajtur zero kolonën e golave të pësuar këtë herë.