Shtanget Asllani

- Bota Sot

Shtanget Asllani

Kristjan Asllani nuk po kalon një sezon të lumtur pasi eksperienca e tij në Turqi me Beshiktashin nuk po merr rrjedhën që parashikonte mesfushori i Kombëtares shqiptare. Ai ka përfunduar në stol edhe te klubi turk dhe mundësia e qëndrimit në Stamboll pas verës po bëhet gjithnjë e më e vogël.

Çdo ditë në media ka diskutime rreth të ardhmes së tij dhe në ditët e kaluara u bë e ditur se Beshiktashi mund të blinte kartonin e tij, por vetëm me një shumë që ishte sa gjysma e 11 milionë eurove të dakordësuar fillimisht me Interin që ka në pronësi lojtarin. Sot, janë publikuar lajme se situata ka ndryshuar plotësisht.

Sipas “Fanatik”, Beshiktashi do të përqendrohet këtë verë që të bëjë të mundur kthimin e portugezit Gedson Fernandes në radhët e tij.

Mesfushori i transferuar te Spartak Moska për 20,7 milionë euro në fillim të sezonit, duket se nuk është ambientuar me Rusi dhe kërkon kthimin përsëri në Turqi.

Bëhet e ditur se gjatë pauzës së kombëtareve, ai ka qenë në Turqi dhe ka takuar stafin teknik të Beshiktashit si dhe drejtuesit për të gjetur mundësinë e kthimit.

Ndaj Beshiktashi do të përqendrojë të gjithë paratë që ka në dispozicion për të siguruar një kthim të Gedson Fernandes për ta rreshtuar në mesfushë.

Si rrjedhojë, edhe mundësia për investime të tjera si për afrimin e Asllanit, nuk pritet të jetë e realizueshme, me mesfushorin shqiptar që duhet të nisë të mendojë për një destinacion të ri në karrierë.



Read it all at Bota Sot