Federata e Futbollit do të organizojë për të katërtin vit radhazi seleksionime me futbollistët shqiptarë të talentuar, të cilët jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada.
Seleksionimet do të zhvillohen të shtunën, më 27 qershor 2026, në kompleksin “Hudson Sports Complex, Warwick NY” dhe do të jenë të fokusuara te lojtarët e vitlindjeve 2010, 2011, 2012, 2013 dhe 2014, ndërsa është i hapur edhe për futbollistet vajza pa kufizime moshe.
Në seleksionimet me futbollistët shqiptarë të talentuar, të cilët jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada do të marrë pjesë edhe Drejtori i Departamentit të Skautizmit në FSHF, Tefik Osmani.
Gjithashtu, me të gjithë organizimin e seleksionimit do të merret Ansi Agolli, ish-futbollist i Kombëtares.
Seleksionimet kanë si qëllim evidentimin e talenteve të reja, por në të njëjtën kohë edhe ndjekjen nga afër të progresit të lojtarëve shqiptarë që aktivizohen në SHBA dhe Kanada.