Tronditje te pretendentët për Superioren, presidenti i klubit shpallet në kërkim

- Bota Sot

Tronditje te pretendentët për Superioren, presidenti i klubit shpallet në kërkim

Klubi i Pogradecit ka ndjekur me ankth ngjarjet e 24 orëve të fundit në Tiranë, ku u përfshi nga flakët një pallat te “Farmacia 10” pranë “QSUT”, pasi ndërtuesi i atij pallati është njëkohësisht presidenti i liqenorëve, Armand Lilo.

Rritja e pogradecarëve në këtë sezon dhe kthimi i tyre në pretendentë për ngjitjen në elitë ka ardhur pikërisht nga financimet e këtij investuesi dhe situata e krijuar rreth tij mund të sjellë kaos në momentin vendimtar të sezonit.

Pak ditë më parë, ai kishte premtuar një premio 50 mijë euro për lojtarët në rast fitoreje ndaj Laçit si dhe 100 mijë euro për ngjitjen në Superiore.

Një ditë pas zjarrit të madh që shkrumboi pallatin, policia ka arrestuar 4 persona, ndërsa janë nën hetim katër të tjerë, mes të cilëve Lilo, i cili është shpallur në kërkim.

Njoftimi i Policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për përcaktimin e shkaqeve të rënies dhe të përhapjes së zjarrit, dje, në një kompleks banimi te Rruga e Dibrës, arrestuan shtetasit:

-A. C., 54 vjeç, administratori i kompleksit të pallateve, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;

-R. S., 54 vjeçe, menaxherja e marketit në katin e parë të kompleksit, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;

-E. A., 66 vjeç, inxhinier drejtues i punimeve për ndërtimin e këtij kompleksi, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;

-A. F., 46 vjeç, administratori i subjektit që ka bërë punimet për fasadën e kompleksit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Gjithashtu, nisi hetimi penal për shtetaset S. A. dhe E. M., punonjëse në market, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, si dhe për shtetasit A. L., 48 vjeç, pronari i kompleksit të pallateve, dhe Sh. B., 41 vjeç, i kontraktuari për ndërtimin e kompleksit.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se në ambientin e pasmë të marketit që menaxhonte shtetasja R. S., në rrethana të paqarta ka rënë zjarr në një vend ku ishin grumbulluar mbeturina, ku kjo shtetase nuk kishte marrë masa për heqjen e tyre.

Gjithashtu, shtetasi A. C., administrator i kompleksit të banimit, dyshohet se nuk ka kryer veprimet e nevojshme për kontrollin e funksionalitetit të masave mbrojtëse për zjarrin dhe shpëtimin.

Nga flakët u dëmtuan 11 shtetas (punonjës të DPMZSh-së dhe banore të pallatit), të cilët vijojnë të marrin mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Grupi i posaçëm hetimor po vijon punën në vendngjarje, për të përcaktuar dëmin material total të shkaktuar nga zjarri.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve përgjegjës për këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.



Read it all at Bota Sot