E ardhmja e trajnerit të Arsenalit, Mikel Arteta, mund të vendoset seriozisht në pikëpyetje në fund të sezonit, nëse skuadra nuk arrin të fitojë një nga dy trofetë kryesorë: Premier Ligë, ose ‘UEFA Champions League’.
Sipas raportimit të mediave angleze dhe jo vetëm, drejtuesit e klubit londinez janë duke monitoruar situatën dhe mund të marrin një vendim të rëndësishëm, gjithmonë në fund të sezonit nëse objektivat madhore nuk realizohen.
Mësohet gjithashtu se drejtuesit e Arsenalit kanë identifikuar ish-mesfushorin legjendar të klubit dhe trajnerin aktual të Komos, Çesk Fàbregas, si një kandidat ideal për të marrë drejtimin e ekipit në rast se Arteta do të largohej. Fàbregas, i cili është një figurë shumë e dashur për tifozët e Arsenalit – për shkak të kontributit të tij në të kaluarën -, mund të rikthehet vërtet më shumë se kurrë më parë në Londër, këtë herë në rolin e trajnerit. Mungesat – Arsenali po kalon një kohë të vështirë.
“Topçinjtë” e Mikel Artetës kanë humbur tre nga katër ndeshjet e tyre të fundit, duke e lënë Premier Ligë të hapur pas humbjes së tyre ndaj Burnemuth dhe fitores së Sitit ndaj Çelsit.
Para përballjes direkte të së dielës, Arsenali do të presë Sportingun në ndeshjen e dytë të çerekfinales së Ligës së Kampioneve. E vetmja notë pozitive është rezultati i ndeshjes së pare, teksa gjenden në rrugën e duhur pas golit të vonë të Kai Haverc. Mirëpo, Arteta do të duhet të përballet me disa mungesa kyçe. Nuk ka shumë lajme të mira nga sektori i dëmtimeve për Arsenalin. Në prag të ndeshjes së planifikuar për në orën 21:00 në stadiumin “Emirates”, Rikardo Kalafiori, Bukaio Saka dhe Xhurrien Timber nuk u stërvitën. Norvegjezi Martin Ødegard, i cili luajti 70 minuta në ndeshjen e parë, po ashtu mungon.
Po Rajs? – Ka shqetësime edhe për Deklan Rajs. Mesfushori anglez mungoi gjithashtu në stërvitje në prag të ndeshjes kundër Sportingut dhe gjendja e tij po shkakton shqetësim. Në konferencën për shtyp, Mikel Arteta foli për ishlojtarin e Uest Hem, duke sqaruar:
Nuk dua të flas për këtë tani, duhet të presim dhe të shohim sesi do të shkojë deri në këto orë para sfidës. Ai nuk ishte në gjendje të stërvitej…”.
Trajneri i “Topçinjve”, megjithatë, shtyu çdo diskutim deri para startit: “Duhet të presim, për të parë sesi janë disa nga lojtarët dhe për të bërë zgjedhjet e duhura”, pohoi ai.