Cassano habit

- Bota Sot

Cassano habit

Ish-sulmuesi italian, Antonio Cassano, ka bërë një deklaratë të bujshme, duke krahasuar veten me tri legjenda të futbollit italian dhe duke pretenduar se në formën e tij më të mirë ishte superior ndaj tyre.

Gjatë një episodi të podcast-it “Viva El Futbol”, që ai e drejton së bashku me ish-lojtarë të tjerë, Cassano u pyet nëse në kulmin e tij ishte më i fortë se Roberto Baggio, Francesco Totti dhe Alessandro Del Piero. Përgjigjja e tij ishte e drejtpërdrejtë: “Në kulmin tim, absolutisht po”.

Megjithatë, vetë Cassano pranoi se nuk e arriti kurrë maksimumin e tij të vërtetë në karrierë, duke theksuar se shumë vendime personale ndikuan negativisht në rrugëtimin e tij profesional.

“Edhe pse nuk e arrita kurrë kulmin tim të plotë, nëse do ta kisha bërë, do të isha më i fortë se të tre”, u shpreh ai.

Ish-sulmuesi argumentoi edhe arsyet e këtij pretendimi. Sipas tij, Roberto Baggio ishte një gjeni, Francesco Totti “numri 10 më i mirë në historinë e futbollit italian”, ndërsa Alessandro Del Piero një lojtar fenomenal. Por ai beson se, në potencialin maksimal, i kalonte të gjithë: “Isha më shumë gjenial se Totti, më shumë fizik se Baggio dhe më shumë se Del Piero në çdo aspekt”.

Cassano shtoi se statistikat, si numri i golave, nuk janë gjithçka: “Ai ka shënuar më shumë se unë, por po flas për kulmin tim. Nëse do të kisha bërë gjithçka siç duhet, nuk do të kisha pasur rivalë”.

Deklaratat e tij kanë ngjallur debat të madh në opinionin sportiv, duke rikthyer në vëmendje talentin e jashtëzakonshëm të Cassanos, por edhe faktin se karriera e tij nuk arriti kurrë nivelin që shumë prisnin.



Read it all at Bota Sot