Brenda një kohë të shkurtër duhen prezantuar 5 impiante që do të presin ndeshjet dhe për momentin vetëm një është gati. Mungon garancia, UEFA mund të hedhë poshtë kandidaturën.
Gjashtë vjet nuk janë pak, por gjashtë muaj ikin sa hap e mbyll sytë. Italia është zgjedhur nga UEFA, bashkë me Turqinë, vend pritës për Europianin 2032.
Një event që mund të sjellë deri në 4 miliardë euro dhe është një okazion për të përmirësuar infrastrukturën në Itali.
Këtu është fjala për 6 muajt. Në tetor 2026 do të përzgjidhen 5 impiantet, ku do të luhen ndeshjet dhe situata është mjaft shqetësuese. Alarmin e dha presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, ku u shpreh: “Italia ka infrastrukturë futbollistike nga më të këqijat në Europë. Nëse nuk do të jetë gati, turneu nuk do të luhet aty”.
Nga kjo çështje duhet ta nisë punën presidenti i ri i federatës italiane. Ceferin ishte i qartë: Italia rrezikon të humbasë Europianin dhe goditja për imazhin e futbollit do të ishte fatale. Në tetor 5 stadiume italiane duhet të plotësojnë kërkesat e UEFA-s.
Për momentin vetëm një i ka kartat në rregull për ndeshjet e turneut, “Allianz Stadium” i Juventusit. Më shumë shanse kanë stadiume si “San Siro” i ri, “Franchi” i rinovuar, “Olimpico” i Romës, si dhe impiantet e Salernos, Palermos, Cagliari dhe Napoli. Kanë humbur rrugës Bologna, Verona dhe Bari.
Në tetor duhet garancitë për financimin dhe disa stadiume janë afër, por me çështje ende të hapura. Duke nisur nga Milano, pasi për “San Siron” e ri peshojnë hetimet dhe tensioni politik.
Presidenti i ri i federatës, që do të zgjidhet më 22 qershor, me të gjitha mënyrat duhet të aprovojë projektet dhe të ndihmojë entet territoriale e klubet. Duhet një reformë emergjente për futbollin në krizë.
Do të jetë një fillim impenjativ për presidentin e ri, por në lojë janë reputacioni dhe besueshmëria e gjithë vendit.