Interi nis kontaktet me Diego Simeonen

- Bota Sot

Interi nis kontaktet me Diego Simeonen

Interi po përgatit një lëvizje të madhe për pankinën, duke synuar emërimin e trajnerit të Atletico Madridit, Diego Simeone, për sezonin e ardhshëm.

Sipas raportimeve nga “Foot Mercato”, drejtuesit zikaltër janë të gatshëm të bëjnë revolucion në stol dhe të zëvendësojnë Cristian Chivu, nëse arrijnë të bindin objektivin e tyre kryesor.

Megjithatë, operacioni mbetet i komplikuar, pasi kontrata e Simeones me Atleticon zgjat deri në vitin 2027.

Pavarësisht kësaj, kontaktet e para mes palëve kanë nisur tashmë, për të testuar gatishmërinë e trajnerit argjentinas për një rikthim në Milano, aty ku ai ka luajtur më parë dhe ka fituar Europa League (ish-Kupa UEFA).

Në krahun tjetër, Interi nuk e ka përjashtuar vazhdimin me Chivun, i cili ka bërë një sezon debutues shumë pozitiv. Zikaltrit kryesojnë Serie A me diferencë të konsiderueshme pikësh dhe janë shumë pranë finales së Kupës së Italisë.

Ndërkohë, Simeone vazhdon të shkëlqejë me Atleticon, duke e çuar skuadrën në gjysmëfinalet e Champions League, ku do të përballet me Arsenalin.



Read it all at Bota Sot