Liverpool ka nisur lëvizjet për sezonin e ardhshëm, duke e fokusuar vëmendjen te përforcimi i repartit defensiv. Një nga emrat më të përfolur është ai i mbrojtësit argjentinas Marcos Senesi, i cili pritet të largohet nga Bournemouth si lojtar i lirë në fund të muajit qershor.
Sipas raportimeve nga mediat britanike, “The Reds” janë aktualisht në avantazh për të siguruar shërbimet e 27-vjeçarit. Interes për të kanë shfaqur edhe Chelsea FC dhe Manchester United, por destinacioni më i mundshëm për momentin mbetet “Anfield”.
Nevoja për ndërhyrje në mbrojtje vjen si pasojë e disa pikëpyetjeve brenda skuadrës. Kapiteni Virgil van Dijk po kalon një sezon të vështirë, ndërsa forma e Ibrahima Konate ka rënë ndjeshëm, duke shtuar dyshimet mbi të ardhmen e tij. Klubi dëshiron rinovimin e kontratës me francezin, por ende nuk ka një marrëveshje konkrete.
Në të njëjtën kohë, situata e Joe Gomez mbetet e paqartë. Mbrojtësi është përdorur shpesh si lojtar polivalent, por është penalizuar nga dëmtimet dhe pas verës do të hyjë në vitin e fundit të kontratës.
Në këtë kontekst, afrimi i Senesi-t shihet si një lëvizje strategjike për Liverpool-in, jo vetëm për faktin se mund të vijë pa kosto transferimi, por edhe për eksperiencën që ai tashmë ka fituar në Premier League.
Klubi anglez po përgatit kështu një “restyling” në mbrojtje, që mund të ndryshojë ndjeshëm fytyrën e skuadrës për sezonin e ardhshëm.