Mesfushori i Real Madrid, Eduardo Camavinga, ka reaguar publikisht pas eliminimit në Ligën e Kampionëve ndaj Bayern Munich, duke marrë përgjegjësinë për kartonin e kuq.
Francezi u përjashtua nga loja pas dy kartonëve të verdhë në pak minuta, një moment që ndikoi drejtpërdrejt në rrjedhën e ndeshjes në Mynih.
Pas takimit, Camavinga përdori rrjetet sociale për t’u kërkuar falje tifozëve dhe shokëve të skuadrës.
“Dua të kërkoj falje. Marr përgjegjësinë time dhe i kërkoj falje ekipit dhe tifozëve. Faleminderit për mbështetjen. Hala Madrid, përgjithmonë”, shkroi ai.
Mesfushori hyri në fushë në pjesën e dytë, në një moment kur Reali ishte në avantazh, por gjithçka ndryshoi shpejt.
Ai u ndëshkua fillimisht për një ndërhyrje ndaj Jamal Musiala dhe më pas për një veprim të panevojshëm pas faullit ndaj Harry Kane, duke e larguar topin pas sinjalit të gjyqtarit Slavko Vincic.
Me një lojtar më pak, Real Madridi nuk arriti të mbante rezultatin, ndërsa Bayerni përmbysi gjithçka duke siguruar kualifikimin.
Vendimi i arbitrit ka shkaktuar reagime të forta në Spanjë, me shumë që e konsiderojnë ndëshkimin të ashpër, megjithatë gabimi i Camavingas rezultoi vendimtar në një mbrëmje dramatike për madrilenët.