Drejtuesit e klubit kuqezi janë të bindur të vazhdojnë me trajnerin livornez, që do të ketë gjithmonë e më shumë figurën e menaxherit me influencë në merkato.
Pas disa ditësh stuhi, te Milani është kthyer qetësia. Humbjet e fundit krijuan një situatë gri dhe ngritën dyshime për të ardhmen, ku veç disa lojtarëve (Leao dhe Pulisiç), edhe trajneri Allegri dekej se përfundoi në bankën e të akuzuarve.
Dhe kjo situatë mund ta shtynte trajnerin larg Milanit, ndoshta te kombëtarja e Italisë, ku thuhet se Giovanni Malago, kandidati kryesor për president federate, e kërkon në stolin “axurr”.
Por “Djalli” ka vullnetin për të vazhduar me trajnerin Allegri. Madje ka një projekt të qartë për ta mbajtur atë, duke i dhënë më shumë kompetenca për merkaton.
Milani ka treguar se këtë sezon ka një 11-she titullare të nivelit të mirë, problem kanë qenë alternativat, larg pritshmërive. Odogu, Jashari dhe Nkunku, sa për të përmendur disa emra. Objektivi i merkatos së ardhshme është zgjerimi i grupit të lojtarëve.
Në verë priten të paktën tri goditje të mëdha: lojtarë me eksperiencë “alla Rabiot”.
Emrat do të përcaktohen në tavolinë, bashkë me trajnerin Allegri. Plani i klubit kuqezi është ta bëjë trajnerin më tepër një figurë menaxheri, në stilin anglez, me më shumë fuqi mbi merkaton. Një strategji për të heshtur sirenat “axurre”.