Revista prestigjioze Sports Illustrated ka publikuar listën me 10 transferimet më të dobëta të sezonit në Premier League, ku pjesë e saj është edhe sulmuesi i kombëtares shqiptare, Armando Broja.
Futbollisti 24-vjeçar renditet në vendin e gjashtë në këtë klasifikim jo të dëshiruar, ndërsa lista kryesohet nga Alexander Isak, aktualisht pjesë e Liverpool. Artikulli, i publikuar në fund të marsit dhe i shpërndarë së fundmi nga SPORTbible, analizon transferimet që nuk kanë dhënë pritshmëritë këtë sezon.
Sipas analizës, Burnley shpenzoi rreth 22 milionë euro për të siguruar shërbimet e Brojës nga Chelsea, por ky investim ka rezultuar i pasuksesshëm. Sulmuesi shqiptar ka vuajtur nga dëmtimet e shpeshta dhe nuk ka arritur të ketë vazhdimësi në performancë.
Deri më tani, Broja ka regjistruar vetëm 22 paraqitje dhe ka shënuar një gol të vetëm, shifra që konsiderohen zhgënjyese për një transferim të këtij niveli. Artikulli thekson se vetëm periudha e tij te Southampton, ku realizoi 9 gola, mund të cilësohet si e suksesshme në karrierën e tij në Angli.
Gjithashtu, përmenden edhe eksperiencat jo bindëse të tij te Fulham dhe Everton, të cilat kanë ndikuar në rënien e vlerës së tij në treg. Në përfundim, artikulli nënvizon se gabime të tilla në merkato mund të kenë pasoja të rënda për Burnley-n, që aktualisht rrezikon seriozisht rënien nga kategoria.