Toni Kroos analizoi çerekfinalen e Champions League, ku Atlético Madridi eliminoi Barcelonën pas fitores 2-0 në “Camp Nou” dhe humbjes 2-1 në “Metropolitano”.
Ai lavdëroi katalanasit dhe theksoi se ishte shumë e vështirë të kualifikohesh kur luan rreth 70 minuta me një lojtar më pak, por paralajmëroi për stilin e tyre të rrezikshëm.
“Besoj se Barça ishte skuadra më e mirë, por kur kalon kaq shumë kohë me një lojtar më pak është shumë e vështirë.
Atlético di gjithmonë ta mbrojë shumë mirë rezultatin dhe me avantazhin e ndeshjes së parë, plus kartonin e kuq, kishte shumë përparësi për të kaluar në gjysmëfinale”, – tha gjermani në kanalin e tij në YouTube.
Pa hyrë në drejtësinë e kartonëve të kuq për Pau Cubarsí dhe Eric García, ish-mesfushori i Real Madridit shpjegoi për vijën e lartë mbrojtëse të Barcelonës: “Kur mbron në atë mënyrë dhe lë kaq shumë hapësira pas, mund të të ndodhin gjëra të tilla, përfshirë kartonë të kuq, për të shmangur përballjen një kundër një të kundërshtarit me portierin.
Mbrojtja e Barçës është shumë e ekspozuar. Sezonin e kaluar i ndodhi me Interin, këtë vit me Atletico Madridin. Siç e kam thënë, nëse nuk e ndryshojnë këtë mënyrë loje, nuk do ta fitojnë Champions-in”.
Për preferencat e tij në këtë përballje: “A nuk mund të humbnin të dyja? Për 10 vitet që kalova te Reali nuk dua të fitojë asnjëri ekip, por nëse duhet të zgjidhja, më mirë Atlético, sepse vitin tjetër nuk do të ketë të njëjtat shanse për të fituar”. Gjermani u shpreh edhe për titullin: “Është vetëm mendimi im, por besoj se Atlético Madridi nuk do ta fitojë Champions-in. Ka skuadra që luajnë më mirë se ata”.