Reali i Madridit duket i destinuar të mbyllë një tjetër sezon pa trofe.
Në dy sezonet e fundit skuadra e Los Blancos ka mundur të fitojë vetëm Superkupën Evropiane dhe Kupën Interkontinentale, shumë pak për klubin me president Florentino Perez.
Në muajt e verës, klubi madrilen do të bëjë ndryshime për t’i dhënë fund kësaj situate me rezultate larg pritshmërive dhe mungesë titujsh.
Një prej futbollistëve që janë në vorbullën e kritikave është Jude Bellingham.
Pas një sezoni të parë të shkëlqyer me Realin e Madridit duke qenë një prej elementëve kyç të skuadrës në fitoren e titullit të 15 të Champions League, anglezi prej dy vitesh po luan nën nivelin e tij duke përfunduar në shënjestrën e tifozëve, të cilët presin shumë më shumë nga sulmuesi në sezonin e ardhshëm
Dy ditë pas eliminimit në Ligën e Kampioneve nga Bayerni i Mynihut, Bellingham iu drejtua rrjeteve sociale duke iu bërë një premtim tifozëve të Realit të Madridit.
‘Nuk mjaftoi, por largohemi me kokën lart. Madriditstë e dimë që ju kemi zhgënjyer, por do t’ju jemi gjithnjë mirënjohës për mbështetjen tuaj.
Kohët e bukura që meritoni do të kthehen. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të mbyllim këtë sezon sa më të fortë që të jetë e mundur. Hala Madrid!’-shkruante Bellingham në një postim të tij në Instagram.
Reali i Madridit ka si objektiv të vetëm mbylljen e kampionatit në vendin e dytë për të siguruar pjesëmarrjen në edicionin e ardhshëm të Superkupës së Spanjës. Bellingham premton tituj dhe madridizmi do të jetë shumë i vëmendshëm dhe do ta shohë nëse ai do ta mbajë premtimin e tij.