Trajneri i Arsenal, Mikel Arteta, ka dërguar një mesazh të qartë para përballjes vendimtare në Premier League, duke theksuar se skuadra e tij nuk do të luajë për barazim.
“Do ta përgatisim ndeshjen për të fituar, kjo është e sigurt. Nuk do të shpenzojmë asnjë sekondë duke folur për barazim”, deklaroi Arteta, duke treguar qartë mentalitetin e “Topçinjve” në prag të sfidës ndaj Manchester City.
Kjo përballje konsiderohet si një nga më vendimtaret e sezonit, pasi Arsenali kryeson kampionatin me gjashtë pikë më shumë se City, edhe pse këta të fundit kanë një ndeshje më pak.
Pavarësisht se një barazim do të ishte një rezultat i favorshëm në letër për londinezët dhe do të rriste ndjeshëm shanset për titull, Arteta ka refuzuar kategorikisht këtë qasje, duke insistuar se skuadra e tij do të luajë vetëm për tri pikët.
Arsenali vjen në këtë duel pas një periudhe jo të qëndrueshme në kampionat, përfshirë humbjen e fundit ndaj Bournemouth, që ka rihapur garën për titull.
Megjithatë, skuadra londineze mbetet në krye dhe është në garë për titullin e parë kampion pas më shumë se dy dekadash.