Futbollisti Omer Ramadani nga Çerkezi i Kumanovës është një futbollist i talentuar, vetëm 14 vjeç, i cili aktualisht po zhvillon karrierën e tij futbollistike në shkollën e futbollit Bashkimi 1947 nga Kumanova.
Që në moshë të vogël, ai ka treguar pasion të madh për futbollin, disiplinë dhe përkushtim në çdo stërvitje dhe ndeshje.
Ramadani është i lindur më 20 janar 2012. Është i gjatë 1.80 centimetra dhe peshon 68 kg.
Ai dallohet për teknikën e mirë me topin në mbrojtje, inteligjencën në lojë dhe dëshirën për përmirësim të vazhdueshëm.
Trajneri i tij Erkan Osmani e vlerëson për seriozitetin dhe mentalitetin fitues, ndërsa bashkëlojtarët e shohin si një lojtar që bën diferencën në fushë, - shkruan “Open-TV”.
“Omerin e stërvis nga mosha 7 vjeçare. Ai po rritet në duart e mia. Bëhet fjalë për një djal shembull, punëtor i madh në fushën e lojës.
Ai luan në pozitën e mbrojtësit të djathtë. Luan për dy gjenerata, atë të vitit 2012 dhe gjeneratën 2010 në Super Ligë.
Nga ai pres shumë në të ardhmen”, deklaroi trajneri i tij Erkan Osmani-Koki.
Të luash futboll në shkollën e futbollit Bashkimi në një moshë kaq të re është një arritje e rëndësishme dhe një mundësi e madhe për zhvillimin profesional.
Me punë të vazhdueshme dhe mbështetje familjare, Omer Ramadani ka potencial të madh për një të ardhme të ndritur në futboll.
Ëndrra e madhe e 14-vjeçarit është që një ditë të luajë me ekipin e parë të Bashkimit 1947, aty ku shpeshherë nga tribuna ka mundësinë t’i ndjekë nga afër futbollistët zigjelbër.\
Nga klubet e huaja ëndërron Real Madridin, kurse nga yjet botëror, Sergio Ramosin. Dëshira e tij është që një ditë te vesh edhe fanellën Kuqezi të Shqipërisë.
Me paraqitjet e deritanishme, ai po dëshmon se është gati për hapa më të mëdhenj në karrierë.