Çmimet shumë të larta të biletave nuk do të jenë e vetmja gjë që do t’u zbrazë xhepat tifozëve të futbollit që do të ndjekin ndeshjet e Kupës së Botës në disa nga stadiumet në SHBA këtë verë.
Tifozët që do të përpiqen të shkojnë në “MetLife Stadium” nga New York City mund të presin të paguajnë rreth 150 dollarë për një biletë treni vajtje-ardhje për çdo ndeshje, konfirmuan zyrtarët e transportit të premten.
Kjo është gati 12 herë më shumë se tarifa e zakonshme prej 12.90 dollarësh për udhëtimin prej rreth 15 minutash dhe 9 miljesh nga “Penn Station” në stadiumin në East Rutherford, New Jersey.
Parkimi në vend nuk do të jetë i disponueshëm për shumicën e tifozëve, kështu që zyrtarët e New Jersey presin që rreth 40,000 tifozë të përdorin transportin publik për çdo ndeshje.
Stadiumi, që është shtëpia e skuadrave të New York Giants dhe New York Jets, do të presë tetë ndeshje të Kupës së Botës, përfshirë finalen e turneut më 19 korrik.
Ndeshjet e fazës së grupeve për fuqitë e futbollit si Brazili, Franca, Gjermania dhe Anglia, së bashku me vende të tjera, fillojnë më 13 qershor.
Zyrtarët e New Jersey thanë se rritja e çmimit ishte e nevojshme për të mbuluar kostot e organizimit të Kupës së Botës në kthimin e saj në SHBA për herë të parë që nga Kupa e Botës më 1994.
Zyrtarët e “NJ Transit” thanë se planifikojnë të shpenzojnë 62 milionë dollarë për transportimin e tifozëve gjatë gjithë turneut.
Grantet e jashtme kanë mbuluar vetëm 14 milionë dollarë nga këto shpenzime të parashikuara.
Sipas presidentit dhe CEO-së Kris Kolluri, rritja e çmimeve ishte e domosdoshme për të mbuluar pjesën e mbetur.
“Kjo nuk është abuzim me çmimet,” tha Kolluri. “Ne thjesht po përpiqemi të rikuperojmë kostot”, shtoi ai.
Guvernatorja e New Jersey, Mikie Sherrill, i bëri thirrje FIFA-s që të mbulojë kostot e transportit.
“Nëse nuk e bën, nuk do të subvencionojmë mbajtësit e biletave të Kupës së Botës në kurriz të banorëve të New Jersey që përdorin çdo ditë ‘NJ Transit’”, tha ajo.
Megjithatë, FIFA kundërshtoi këtë sugjerim, duke theksuar se qytete të tjera pritëse në SHBA si Los Angeles, Dallas dhe Houston po i mbajnë çmimet e transportit të pandryshuara.
Një përjashtim i dukshëm është Bostoni, ku autobusët ekspres drejt “Gillette Stadium”, shtëpia e New England Patriots, do të kushtojnë 95 dollarë vajtje-ardhje.
Ndërkohë, në Los Angeles tarifa njëdrejtimëshe mbetet 1.75 dollarë; në Atlanta është 2.50 dollarë; në Houston 1.25 dollarë dhe në Philadelphia 2.90 dollarë.
Kansas City ofron autobusë me çmim vetëm 15 dollarë vajtje-ardhje drejt “Arrowhead Stadium”.
Disa prej këtyre qyteteve kanë theksuar se qeveria amerikane ka dhënë rreth 100 milionë dollarë grante për të përmirësuar shërbimet e transportit gjatë ndeshjeve.
FIFA paralajmëroi se çmimet e larta të transportit në New Jersey mund të kenë një “efekt frenues”, duke shtuar se tarifa të tilla i shtyjnë tifozët drejt alternativave të tjera, duke rritur rrezikun e trafikut, vonesave dhe duke ulur përfitimet ekonomike për rajonin.
Rritja e madhe e çmimeve për udhëtimin drejt “MetLife” u kritikua edhe nga guvernatorja e New Yorkut, Kathy Hochul.
“Të paguash mbi 100 dollarë për një udhëtim kaq të shkurtër me tren më duket shumë,” shkroi ajo në rrjetin “X”.
Edhe alternativat e tjera për të shkuar në “MetLife Stadium” do të jenë të shtrenjta.
Autobusët “shuttle” me kapacitet për rreth 10,000 pasagjerë do të nisen nga terminali i autobusëve në Manhattan dhe vende të tjera me çmim 80 dollarë vajtje-ardhje.
Rreth 5,000 vende parkimi në “American Dream Mall” po shiten paraprakisht, aktualisht me çmim 225 dollarë.
Megjithëse “MetLife” ka një vendparkim të madh, për ndeshjet e Kupës së Botës një pjesë e madhe e tij do të përdoret për fshatin e tifozëve, autobusët “shuttle”, zonat operative dhe stafin e FIFA-s.
Kur stadiumi priti “Super Bowl 2014” në kushte të ngjashme, “NJ Transit” pati vështirësi të menaxhonte rreth 33,000 pasagjerë që largoheshin nga ndeshja, me platforma të mbingarkuara dhe tifozë që prisnin për orë të tëra për të hipur në tren..