Bullgarët votojnë për qeverinë e re, ish-presidenti pro-rus favorit

- Bota Sot

Bullgarët votojnë për qeverinë e re, ish-presidenti pro-rus favorit

Bullgarët u janë drejtuar qendrave të votimit këtë të diel, për të tetën herë në 5 vjet, me bllokun e ish-presidentit Rumen Radev që pritet të shpallet fitues.

Vendi më i varfër i Bashkimit Evropian ka përjetuar një seri rëniesh të qeverive që prej vitit 2021, kur turmat e qytetarëve që protestonin kundër korrupsionit i dhanë fund liderit të qeverisë konservatore Boyko Borisov.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se Bullgaria renditet vazhdimisht e fundit në Bashkimin Evropian për GDP-në për person. Në 2025-n, vendi ishte në 68 për qind të mesatares së BE-së.

Radev, që ka mbrojtur ripërtëritjen e lidhjeve me Rusinë dhe kundërshton ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës, ka qenë për 9 vite president i vendit ballkanas me 6.5 milionë banorë.

Ai u tërhoq në janar për të udhëhequr grupin e qendrës së majtë Bullgaria Progresiste, me sondazhet që para së dielës sugjeronin se blloku i tij do të sigurojë 35 për qind të votave.

Ish-gjenerali i forcave ajrore ka deklaruar se dëshiron të zhbëjë modelin e “qeverisjes së oligarkëve” dhe ka mbështetur protestat anti-korrupsion të vitit 2025 që rrëzuan qeverinë e fundit konservatore.

Sondazhet parashikojnë gjithashtu një rritje të pjesëmarrjes në procesin elektoral, me mbi 3.3 milionë bullgarë që pritet të hedhin votën.

Qendrat zgjedhore do të mbyllen në 19, me orën tonë dhe menjëherë më pas do të publikohen rezultatet e exit poll-eve. Ndërkohë, rezultatet paraprake pritet të publikohen të hënën.

Procesi po ndiqet me interes nga Bashkimi Evropian, që druhet se Radev, i prirur të afrohet me Moskën dhe të kundërshtojë marrëveshjet ushtarake me Kievin, mund të kthehet në një Viktor Orban të ri, që mund të bllokojë proceset vendimmarrëse të Unionit.



Read it all at Bota Sot