Guardiola nuk feston fitore ndaj Arsenalit, ka mesazh për lojtarët
Manchester City e mposhti Arsenalin me rezultat 2-1 në “Etihad”, në një duel shumë të rëndësishëm për garën e titullit në Ligën Premier.
Për Man Cityn shënuan Rayan Cherki dhe Erling Haaland, ndërsa për Arsenalin realizoi Kai Havertz. Pas kësaj fitoreje, Man City mbetet tre pikë prapa Arsenalit, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Pas takimit, trajneri i Cityt, Pep Guardiola, u shpreh se fitorja i jep skuadrës shpresë, por kërkoi qetësi dhe fokus për vazhdimin e sezonit.
“Nuk do të thosha se e shijova. Ishte… në rregull. Kjo fitore na jep shpresë, kaq.
Por u thashë djemve: shijoni momentin, por mos e humbni fokusin.
Realiteti është i qartë, kush është në krye të ligës? Ne jo. Diferenca e golave, kush është më i mirë? Ata. Hap pas hapi. Por sigurisht, kemi shpresë se do të vazhdojmë të rrisim shanset tona për të luftuar deri në fund”, deklaroi Guardiola.
Guardiola u ndal edhe te përplasjet fizike në sulm, duke bërë një koment me humor për vështirësinë që pati Haaland përballë dyshes së Arsenalit në mbrojtje.
“Jemi gjallë, jemi aty. Të gjithë po përpiqen dhe tani po hyjmë në fazën ku të gjithë po kontribuojnë.
Nuk do të doja të isha Erling Haaland duke luftuar kundër Gabrielit dhe William Salibës.
Do të preferoja ta lexoja një libër. Absolutisht jo. Por mënyra si u përballën ata dhe si e përballoi ai, ishte shumë mirë”, tha tekniku katalanas.
Guardiola theksoi gjithashtu se Man City e ka siguruar matematikisht pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, duke e cilësuar këtë si një objektiv shumë të rëndësishëm.