Në Spanjë vazhdojnë të insistojnë fort: Alessandro Bastoni është objektivi kryesor i Barcelonës për ta përforcuar mbrojtjen në sezonin e ardhshëm.
Mediat katalunase si “Mundo Deportivo” dhe “Sport” janë të sigurta se mbrojtësi i Interit është zgjedhja numër një e drejtuesve “Blaugrana".
Profili i tij konsiderohet ideal për stilin e lojës së Barcelonës dhe për projektin e ri teknik.
Megjithatë, përpara se të bëhen hapa konkretë, mungon ende miratimi përfundimtar i trajnerit Hansi Flick, i cili pritet të takohet me drejtorin sportiv Deco për ta vendosur strategjitë e “merkatos” për sezonin e ardhshëm.
Ndërkohë, klubi katalanas i ka nisur lëvizjet e para duke e kontaktuar rrethin e lojtarit për ta kuptuar gatishmërinë e tij për transferim.
Deri tani nuk ka pasur kontakte direkte mes dy klubeve, pasi Interi nuk e ka ndërmend të heq dorë lehtë nga një prej shtyllave të skuadrës.
Klubi zikaltër e vlerëson kartonin e Bastonit rreth 70-80 milionë euro, një shifër që Barcelona nuk dëshiron ta paguajë plotësisht.
Pikërisht këtu mund të hyjë në lojë vetë lojtari: sipas raportimeve, ai mund të ndihmojë në uljen e çmimit përmes menaxherëve të tij, duke i lehtësuar negociatat mes palëve.
Sa i përket dëshirës së lojtarit, ai nuk e ka ndërmend të krijojë përplasje me Interin, por e ka bërë të qartë se, në rast largimi, prioriteti i tij do të ishte pikërisht Barcelona, pavarësisht interesimit nga klube të Premierligës.
Situata mbetet në zhvillim dhe gjithçka varet nga vendimi final i Flick: nëse trajneri gjerman e jep dritën jeshile, atëherë operacioni mund të hyjë në fazë konkrete dhe negociatat mes klubeve të intensifikohen.