Kane i lumtur, synon ta mbyllë sezonin me trofeun e Championsit

- Bota Sot

Kane i lumtur, synon ta mbyllë sezonin me trofeun e Championsit

Pas më shumë se një dekade te Tottenhami, ku u kthye në simbol dhe pikë reference për klubin, por pa arritur të fitojë trofe, Harry Kane më në fund e ka ndryshuar rrjedhën e karrierës së tij me transferimin te Bayern Munich.

Sulmuesi anglez ka filluar të mbledhë trofe, duke e shtuar në vitrinën e tij edhe një tjetër titull të Bundesligës, pas atij të sezonit të kaluar dhe Superkupës së Gjermanisë.

Në ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Stuttgartit, Kane e arriti shifrën mbresëlënëse prej 51 golash në të gjitha garat këtë sezon, një tregues i qartë i formës së tij të jashtëzakonshme, shkruan “Gazeta Express”.

Në moshën 32-vjeçare, ai po e përjeton një nga sezonet më të mira të karrierës, duke e marrë një “hakmarrje” personale pas viteve pa trofe në Angli.

Ndërkohë, nga klubi bavarez nuk ka asnjë presion për të ardhmen e tij.

Presidenti i nderit, Uli Hoeness, ka theksuar së fundmi se situata kontraktuale e Kane është e qetë, duke e pasur parasysh klauzolën e tij që skadon në vitin 2026 dhe kontratën deri në verën e vitit 2027.

Vetë sulmuesi, në një intervistë për “Sky Sports DE”, është shprehur shumë i kënaqur me jetën dhe karrierën te Bayern:

“Jam vërtet i lumtur këtu. Me skuadrën që kemi, trajnerin dhe stafin, të gjithë po lëvizim në të njëjtin drejtim. Kemi ende shumë objektiva përpara këtë sezon dhe kjo është entuziazmuese”, deklaroi Kane pasi e siguroi titullin e dytë radhazi në Bundesligë.

Duke reflektuar mbi sukseset, ai shtoi: “T’i fitosh këta trofe nuk është kurrë e lehtë.

Njerëzit ndonjëherë presin që ne të fitojmë çdo vit, por pas kësaj fshihet shumë punë dhe përkushtim. Tani duhet vetëm ta përfundojmë sezonin në mënyrën më të mirë, si në kampionat, ashtu edhe në kupë dhe, natyrisht, në Champions League.”

Objektivat janë të qartë: Bayerni synon ta mbyllë sezonin me sukses në të gjitha frontet, ndërsa Kane kërkon të vazhdojë të jetë protagonist absolut dhe të shtojë edhe më shumë trofe në koleksionin e tij.



Read it all at Bota Sot