Momente ankthi dhe shqetësimi të madh te FC Midtjylland, ku talenti i ri Alamara Djabi është bërë viktimë e një sulmi të rëndë me thikë.
Mesfushori 19-vjeçar u plagos rëndë gjatë fundjavës në qytetin danez Herning, në një ngjarje që e ka tronditur opinionin sportiv.
Sipas raportimeve, lojtari u dërgua me urgjencë në spital në gjendje kritike dhe iu nënshtrua menjëherë ndërhyrjeve kirurgjikale.
Djabi i ka kryer dy operacione dhe fillimisht është vendosur në koma të induktuar për shkak të plagëve serioze që rrezikonin jetën e tij.
Fatmirësisht, gjendja e tij është stabilizuar: ai është zgjuar nga koma dhe po rikuperohet, edhe pse situata mbetet delikate.
Klubi ka konfirmuar se lojtari “po ecën mirë, duke i marrë parasysh rrethanat”, ndërsa është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet dhe familjen e tij.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:30 të mëngjesit dhe policia daneze i ka nisur hetimet duke e kërkuar një të dyshuar rreth 20 vjeç në lidhje me sulmin.
Deri tani nuk janë bërë të ditura motivet e incidentit.
Klubi danez ka kërkuar respekt maksimal për privatësinë e lojtarit dhe familjes së tij në këtë moment të vështirë, duke theksuar se e gjithë skuadra është thellësisht e prekur nga ajo që ka ndodhur.