Rosenior: Fofana kërkoi falje, është reagim emocional

- Bota Sot

Rosenior: Fofana kërkoi falje, është reagim emocional

Trajneri i Chelsea-s, Liam Rosenior, ka komentuar incidentin me mbrojtësin Wesley Fofana pas humbjes së fundjavës ndaj Manchester United, duke konfirmuar se lojtari ka kërkuar falje për reagimin e tij.

Fofana u pa dukshëm i nervozuar pas zëvendësimit, duke reaguar me zemërim dhe duke shtyrë një anëtar të stafit teknik teksa largohej nga fusha. Ngjarja ka marrë vëmendje të madhe në media, por trajneri i Chelseat ka kërkuar ta ulë tensionin rreth episodit.

Para ndeshjes së sotme ndaj Brighton & Hove Albion, Rosenior e ka cilësuar Fofanën si një lojtar emocional dhe të përkushtuar.

Sipas tij, situata është keqinterpretuar nga jashtë, ndërsa brenda skuadrës nuk ka probleme serioze disiplinore.

“Wes është një karakter shumë emocional në mënyrë pozitive. E dua si lojtar dhe si person. Ai nuk ka frikë t’i shfaqë ndjenjat e tij,” është shprehur Rosenior.

Trajneri ka shtuar se ka diskutuar me mbrojtësin për episodin, duke theksuar se pakënaqësia e tij lidhej vetëm me rezultatin negativ të ekipit.

“Kam folur me të dhe ai ishte thjesht i zhgënjyer që po humbnim ndeshjen. Mendoj se mund ta shfaqë emocionin në një mënyrë më të mirë, dhe këtë e kemi diskutuar,” ka vijuar ai.

Rosenior ka theksuar gjithashtu se grupi i lojtarëve po punon fort, pavarësisht rezultateve jo të mira të fundit, duke shtuar se “optika e jashtme nuk e pasqyron realitetin brenda skuadrës”.

Në fund, trajneri i Chelseat ka konfirmuar se Fofana ka kërkuar falje për reagimin e tij, duke e justifikuar episodin si një moment emocional të një lojtari të ri në zhvillim e sipër.



Read it all at Bota Sot