Ruud Gullit ka shprehur shqetësim për ngarkesën e madhe të Lamine Yamal te Barcelona, duke paralajmëruar rrezikun e mundshëm për dëmtime te talenti i ri.
Yamal ka qenë një nga lojtarët kyç të Barcelonës sezon e fundit, duke ndihmuar klubin drejt një triolete-s vendore me La Ligën, Kupën e Mbretit dhe Superkupën.
Forma e tij e jashtëzakonshme ka vazhduar edhe këtë edicion, ndërsa synon të jetë kandidat serioz për ‘Topin e Artë’.
Pavarësisht një problemi të hershëm me lëndim në ijë, 18-vjeçari ka regjistruar 44 paraqitje këtë sezon, me 23 gola dhe 18 asistime, duke u kthyer në një nga lojtarët më vendimtarë të skuadrës katalanase.
Në një prononcim për “AS”, Gullit ka theksuar se përdorimi i vazhdueshëm i lojtarit në ndeshje mund të sjellë pasoja fizike.
“Është e pazakontë. Problemi është se skuadra varet shumë prej tij dhe ai është shumë i ri. Jam vërtet i shqetësuar se mund të lëndohet, sepse po luan vazhdimisht,” ka deklaruar Gullit.
Ikona e futbollit holandez ka shtuar se Barcelonës duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje menaxhimit të ngarkesës së Yamalit, për ta ruajtur në plan afatgjatë një nga talentet më premtues në futbollin evropian.