Real Madrid po mendon një lëvizje të madhe në merkato për verën, duke vendosur në shënjestër sulmuesin e Galatasaray-t, Victor Osimhen.
Sipas raportimeve nga media turke, drejtuesit madrilenë po përgatisin një ofensivë për të siguruar shërbimet e nigerianit, i cili po kalon një sezon shumë të mirë.
“Los Blancos” synojnë një rindërtim të thellë të skuadrës pas një sezoni zhgënjyes, që pritet të mbyllet pa trofe. Forma e shkëlqyer e Osimhen-it, me 19 gola dhe 7 asistime, ka tërhequr vëmendjen e klubit spanjoll, që e sheh atë si një “Galactico” të mundshëm për të rikthyer ambiciet në nivelin më të lartë.
Nga ana tjetër, Galatasaray nuk është i gatshëm të heqë dorë lehtë nga sulmuesi i tij kryesor. Klubi turk kërkon mbi 100 milionë euro për kartonin e lojtarit, një shifër që pasqyron rëndësinë dhe kontributin e tij në skuadër. Vetë Osimhen është shprehur i hapur për një transferim drejt një klubi të madh europian gjatë verës.
Reali po shqyrton mundësinë e shitjes së disa lojtarëve për të financuar këtë operacion, me synimin për të forcuar më tej repartin ofensiv. Megjithatë, mbetet për t’u parë se si Osimhen do të përshtatej në një skuadër ku tashmë spikatin emra si Kylian Mbappé dhe Vinícius Júnior.
Një treshe e mundshme me këta lojtarë do të ishte ndër më të frikshmet në futbollin botëror, por gjithashtu do të kërkonte një menaxhim taktik të kujdesshëm për të ruajtur ekuilibrat në ekip..