Santiago Bernabeu nuk harron dhe, kur vendos të gjykojë, e bën pa mëshirë.
Gjashtë ditë pas eliminimit nga Champions League nga Bayern Munich, objektivi kryesor i frustrimit të publikut të Real Madridit u bë – natyrisht – Eduardo Camavinga, edhe pse shumë bashkëlojtarë të tjerë nuk u kursyen.
Mesfushori francez, protagonist negativ në “Allianz Arena” me një karton të kuq që e komprometoi kualifikimin, u prit me një valë fërshëllimash në momentin e hyrjes në fushë kundër Alavésit..
Fërshëllima të vazhdueshme në çdo prekje të topit, në një mbrëmje që tregoi edhe një herë sa i pamëshirshëm mund të jetë “Santiago Bernabéu”.
Megjithatë, momenti më domethënës erdhi pas fishkëllimës së fundit. Kur stadiumi kishte filluar të zbrazej, Camavinga mbeti në fushë. I vetëm. Ai bëri gjithë perimetrin e fushës duke duartrokitur tifozët dhe duke vendosur duart në gjoks në shenjë faljeje. Një gjest i fortë për të marrë përgjegjësinë për atë që kishte ndodhur.
Ky qëndrim nuk kaloi pa u vënë re, madje as nga trajneri i tij Álvaro Arbeloa, i cili e mbrojti me vendosmëri.
“Është lojtar me personalitet të madh. Pavarësisht moshës së re, ka eksperiencë dhe kur duhet është gjithmonë gati. Ka besimin e të gjithëve.”
Camavinga kishte kërkuar falje edhe më parë në rrjetet sociale, por ky gjest i drejtpërdrejtë përballë publikut tregon diçka më të thellë.
Francezi po e kalon një nga momentet më të vështira që nga ardhja në Madrid: gabime të fundit, më pak minuta dhe kritika në rritje.
Megjithatë, nga kjo “ecje e vetme” del një mesazh i qartë: ai nuk ka ndërmend të fshihet.
Dëshiron të qëndrojë, dëshiron ta rikthejë besimin e Bernabéut. Hapin e parë e bëri. Të radhës, do ta bëjë në fushë.