Milan dhe Juventus do të përballen të dielën në mbrëmje në një sfidë që mund të vendosë shumë për garën drejt Champions League.
Të dy skuadrat kanë një mundësi të mirë për të siguruar kualifikimin në kompeticionin më të rëndësishëm europian. Edhe një barazim mund të jetë i mjaftueshëm, sidomos për Milanin, ndërsa Juventusi duhet të tregojë më shumë kujdes, pasi skuadrat si Como dhe Roma mund të afrohen në renditje, duke qenë vetëm 5 pikë larg bardhezinjve.
Pjesëmarrja në Champions nuk është vetëm çështje prestigji, por edhe financash dhe projekti. Ajo garanton më shumë të ardhura dhe kërkon një skuadër më konkurruese.
Pikërisht për këtë arsye, trajnerët Massimiliano Allegri dhe Luciano Spalletti janë në një linjë: nevojiten lojtarë cilësorë dhe me eksperiencë, të gatshëm të bëjnë diferencën menjëherë dhe të rikthejnë ambiciet për titullin kampion.
Sa i përket merkatos, Milani po ndjek nga afër mesfushorin gjerman Leon Goretzka, i cili mund të largohet nga Bayerni i Mynihut dhe ka dhënë sinjale për fleksibilitet në aspektin financiar.
Kontaktet me kuqezinjtë janë intensifikuar, edhe për faktin se 31-vjeçari, në skadencë kontrate, mund të ulë kërkesën aktuale prej 7 milionë eurosh në sezon.
Ndërkohë, Juventusi po punon për repartin e portës dhe ka marrë një dakordësi fillestare nga braziliani Alisson, i cili mund të ribashkohet me Spallettin pas eksperiencës së tyre te Roma.
Gjithçka do të varet nga vendimi i Liverpool, që duhet të përcaktojë nëse do të hapë rrugën për transferimin apo do të synojë një marrëveshje më të favorshme ekonomike.