Asnjë ofertë në tavolinë

- Bota Sot

Asnjë ofertë në tavolinë

Me rreth dy muaj e gjysmë të mbetura deri në skadimin e kontratës së tij me Bajernin, mbetet e paqartë nëse Manuel Nojer do t’i varë dorezat e portierit apo do të qëndroj edhe një sezon tjetër te kampionët rekord të Gjermanisë.

Tashmë kanë ardhur disa reagime nga drejtuesit e klubit bavarez.

Pavarësisht një gabimi të hershëm nga Nojer, Bajerni siguroi kualifikimin në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve javën e kaluar me një fitore 4-3 kundër Real Madrid.

Drejtori sportiv Maks Eberl më pas foli lidhur me situatën ende të pazgjidhur të kontratës së portierit. Eberl deklaroi se Nojer aktualisht “nuk ka asnjë ofertë në tavolinë” nga Bajerni, duke iu referuar të ardhmes së fituesit të Kupës së Botës 2014.

Megjithatë, ai theksoi se klubi do të mbështetej te Nojer për të paktën edhe një vit në Mynih.

“Forma e tij fizike, mprehtësia mendore dhe dëshira për një vit tjetër: këto janë gjërat që ai duhet t’i tregoj në një farë mase, dhe më pas do të peshojmë situatën, dhe ka gjasa që të gjendet një zgjidhje,” tha Eberl. Vetëm kërkesat “utopike” të Nojerit mund të pengonin një rinovim, “por sinqerisht, nuk mund ta imagjinoj këtë,” shtoi ai.

Edhe vetë Nojer kishte komentuar për të ardhmen e tij në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Real Madridit: “Nuk kam marrë ende një vendim personal, por nuk besoj se do të zgjas shumë derisa të marr guximin dhe të vendos. Pastaj, sigurisht, do të ketë bisedime me klubin,” tha veterani, i cili bëri që skuadra e tij të mbetej në disavantazh herët në ndeshjen e së mërkurës për shkak të një gabimi të kushtueshëm. Drejtori sportiv Kristof Frojnd gjithashtu komentoi situatën dhe mbeti i qetë:

“Kemi folur shpesh për situatën e Manut dhe fakti është që gjithçka varet prej tij. Ai do të vendos. Aktualisht është në formë dhe po luan shumë mirë. Kemi thënë se do të donim ta kishim edhe një vit me ne, edhe si lider. Në përgjithësi, jemi në një pozicion shumë të mirë me portierët tanë, ndaj jemi të qetë,” shpjegoi austriaku në një konferencë për shtyp.



Read it all at Bota Sot