Një seri shpërthimesh tronditën qytetin e Donetskut, ndërsa përplasjet mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdojnë të intensifikohen.
Ushtria ukrainase deklaroi se në sulmet u përdorën dronë me ngarkesa shpërthyese prej 60 deri në 100 kilogramë.
Nga ana tjetër, Moska pretendon se ka goditur objektiva në 138 rajone të Ukrainës, duke përfshirë infrastrukturën energjetike dhe të transportit, si dhe pozicione të ushtrisë ukrainase dhe luftëtarëve të huaj.
Gjatë natës, dronët rusë sulmuan infrastrukturën portuale në Odesë, në Detin e Zi. Sipas zëvendëskryeministrit ukrainas Oleksiy Kuleba, u dëmtuan vendet e ankorimit, magazinat, linjat hekurudhore dhe objektet e operatorëve portualë. Një anije mallrash u godit dhe shpërtheu një zjarr në zonën e magazinimit, megjithatë nuk raportohet për të lënduar dhe porti vazhdoi funksionimin.
Sulme pati edhe në rajonin e Zaporizhias, ku një dron goditi një kryqëzim hekurudhor. Si pasojë, një ndihmës makinisti humbi jetën, ndërsa drejtuesi i trenit u plagos dhe u dërgua në spital.
Ndërkohë, Ukraina pretendon se ka ndërmarrë kundërsulme, duke goditur infrastrukturë nafte në rajonin rus të Nizhny Novgorodit me dronë. Autoritetet ukrainase thonë gjithashtu se kanë sulmuar një post komandues të shërbimit rus të sigurisë në Donetsk, ku pretendohet se janë vrarë 12 oficerë dhe janë plagosur 15 të tjerë.
Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, Rusia ka lëshuar gjithsej 215 dronë që nga mbrëmja e së martës, prej të cilëve 189 janë rrëzuar ose neutralizuar.