Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një tubimi të fundit, ka ofenduar eurodeputetin italian, Sandro Gozi, duke e quajtur lobist dhe duke thënë se “nuk di as cilës kombësi i përket”.
Ai deklaroi se Serbia nuk mund të ketë mbështetje nga ata që, sipas tij, lobojnë për pavarësinë e Kosovës dhe e quajnë Serbinë shtet gjenocidal, duke përmendur në këtë kontekst edhe Gozin.
Nuk vonoi përgjigjja e Sandro Gozi, i cili tha se javën e kaluar e kishte ftuar Vuçiqin në një debat publik televiziv, qoftë në Bruksel apo në Beograd, shkruan klix.ba.
“Së pari e pranove, pastaj u zhduke duke u fshehur pas makinerisë tënde propagandistike”, u shpreh ai.
Politikani italian u ndal edhe te çështja e Kosovës, duke theksuar se "negociatat nuk janë përgjegjësia ime, por e Vuçiçit sipas rezolutave të OKB-së dhe detyrimeve ndërkombëtare që Serbia ka marrë tashmë".
Gozi reagoi edhe ndaj komentit për kombësinë, duke theksuar se çdo qytetar i Bashkimit Evropian ka të drejtë të zgjidhet në vendin ku jeton, si një parim bazë demokratik i BE-së.
Në fund, ai theksoi se fyerjet janë shenjë dobësie: sipas tij, liderët që sulmojnë të tjerët për të fshehur politikat e tyre tregojnë se janë në vështirësi dhe frikë nga llogaridhënia.