Ekipi i Arsimit nga Çegrani realizoi një fitore rutinë ndaj Shkupit në Gostivar.
Ata regjistruan tri pikë të reja pas triumfit bindës me rezultat 5:1 ndaj Shkupi.
Futbollistët vendas dominuan gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa pesë golat në rrjetën e mysafirëve ishin pasqyrim i qartë i asaj që ndodhi në fushë.
Që në aksionin e parë më serioz, Arsimi fitoi penallti pas ndërhyrjes së Jakup Semihut ndaj Albin Ramadanit brenda zonës. I saktë nga pika e bardhë ishte vetë Ramadani, i cili në minutën e 15-të kaloi vendasit në epërsi.
Vendasit vazhduan sulmet, ndërsa pas rasteve të humbura nga Selmani dhe Ramadani, si dhe goditjes së fortë të Abdylit që u ndal nga portieri Musliu, presioni dha rezultat në minutën e 39-të.
Pas asistimit të Selmanit, Rexhepi shënoi nga afërsia për 2:0. Pjesa e dytë nisi me një tjetër tentim të Selmanit, por ishte Shkupi skuadra që shënoi e para në këtë pjesë. Pas një tollovie në zonën e vendasve, Nijazi Nuhia arriti të ngushtojë epërsinë në 2:1. Megjithatë, kjo ishte gjithçka që mysafirët arritën të bëjnë.
Në minutën e 68-të, Remzifaik Selmani e çoi rezultatin në 3:1, duke shfrytëzuar reagimin e dobët të mbrojtësit të Shkupit, Rifadov.
Fundi i ndeshjes i takoi Florent Osmanit, i cili në minutën e 72-të realizoi golin e tij të parë në Ligën e Parë të Maqedonisë për 4-1, ndërsa vetëm katër minuta më vonë (76’), pas asistimit të Abdylit, shënoi edhe golin e dytë personal për rezultatin përfundimtar 5:1.
Deri në fund të takimit, portieri i mysafirëve Sefer Musliu me disa pritje të mira shmangu një humbje edhe më të thellë.
Në xhiron e 30-të, Arsimi do të jetë mysafir i Tikveshit, ndërsa Shkupi do të përballet me Maqedonia Gjorçe Petrovin.
Pas javës së 29-t, Arsimi renditet në vend të 6-të me 38 pikë e Shkupi në fund me 1 sosh.