Dëmtimi i talentit të ri Lamine Yamal ka tronditur ambientin e Barcelona, por trajneri Hansi Flick ka shprehur besim për rikthimin e tij.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Getafe CF, tekniku gjerman pranoi se situata nuk është e lehtë. “Nuk është e thjeshtë, as për të dhe as për ne. Tani duhet ta menaxhojmë këtë moment. Ai do të mësojë nga dëmtimi i parë muskulor dhe do të rikthehet më i fortë”, deklaroi Flick.
Ai u shpreh optimist për rikuperimin e lojtarit, duke theksuar se pret që Yamal të jetë gati për Kupën e Botës. “Jam i bindur se do të jetë i gatshëm për Botërorin”, shtoi trajneri.
Flick nënvizoi edhe rëndësinë e analizës dhe parandalimit të dëmtimeve në të ardhmen. “Duhet të analizojmë gjithçka dhe të kuptojmë çfarë mund të përmirësojmë me stafin. Dëmtimet janë gjëja më e keqe, por duhet të përballemi me to”, u shpreh ai.
Megjithatë, Barcelona mbetet e fokusuar te objektivat e sezonit. “Na kanë mbetur gjashtë ndeshje dhe duam t’i fitojmë të gjitha. Jemi skuadër dhe kur mungon një lojtar, duhet të japim edhe më shumë”, theksoi Flick.
Sa i përket momentit të dëmtimit, trajneri sqaroi se gjithçka ndodhi pas një penalltie. “Ai ndjeu diçka, por nuk dukej serioze.
Duke qenë dëmtimi i parë muskulor, nuk është e lehtë të interpretohen sinjalet”, tha ai.
Në fund, Flick foli edhe për gjendjen emocionale të 18-vjeçarit. “Është normale që të ndihet i mërzitur, por është një lojtar i pjekur dhe inteligjent. Presioni mbi të është i madh, por ai po bën shumë mirë. Tani duhet vetëm të rikuperohet dhe të rikthehet më i fortë”, përfundoi trajneri i Barcelonës.