Ish-trajneri i Liverpoolit, Jürgen Klopp, ka lënë të kuptohet se mund të rikthehet në të ardhmen në pankinë, duke pranuar se ndien mungesën e profesionit të trajnerit.
Tekniku gjerman, i cili u largua nga drejtimi i Liverpoolit në verën e vitit 2024 dhe aktualisht mban rolin e drejtorit global të futbollit në Red Bull GmbH, ishte i pranishëm në inaugurimin e qendrës së re stërvitore të New York Red Bulls.
Gjatë këtij eventi, ku morën pjesë edhe ish-‘yje’ si Thierry Henry, Dax McCarty dhe Bradley Wright-Phillips, Klopp pranoi se për herë të parë që nga largimi nga pankina ka ndier një lloj boshllëku.
“Këtë mëngjes, kur hyra këtu, mendova: ‘Kjo është diçka që mund të më mungojë’, sepse deri tani nuk më kishte munguar asgjë nga trajneri”, u shpreh ai.
Megjithatë, ai e tha me humor se kushtet atmosferike e “shpëtuan” nga një vendim i menjëhershëm për rikthim. “Të hysh në një ambient të tillë në një ditë me diell… falë Zotit që moti nuk ishte shumë i mirë, përndryshe ndoshta do të kisha menduar të rikthehesha”, shtoi Klopp.
Qendra moderne e stërvitjes do të përdoret edhe nga kombëtarja e Brazilit gjatë Kupës së Botës, ndërsa Klopp theksoi se nuk ka qenë e nevojshme të bindet askush për cilësinë e saj, madje as trajneri Carlo Ancelotti.
Në rolin e tij të ri, Klopp mbikëqyr disa klube të rrjetit Red Bull, përfshirë Leipzigun, Salzburgun dhe Bragantinon, por deklaratat e fundit tregojnë se pasioni për stolin vazhdon të jetë ende i fortë.