Propozimi i kancelarit gjerman, Friedrich Merz, që Bashkimi Evropian të lehtësojë sanksionet ndaj Teheranit si pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për t’i dhënë fund konfliktit në Iran, ka ngjallur diskutime mes udhëheqësve evropianë.
Në një samit informal të BE-së në Qipro, Merz tha se lehtësimi gradual i sanksioneve mund të jetë një kontribut i BE-së për të çuar përpara procesin e paqes.
“Lehtësimi i sanksioneve mund të jetë pjesë e procesit. Askush nuk e kundërshtoi këtë. Është, le të themi, kontributi ynë për ta çuar përpara këtë proces dhe për të arritur një armëpushim të përhershëm,” – u shpreh Merz.
Sanksionet ndaj Iranit janë vendosur prej vitesh nga BE, duke përfshirë ndalime udhëtimi dhe ngrirje të aseteve për individë e kompani, si përgjigje ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut, aktivitetit bërthamor dhe mbështetjes ushtarake për Rusinë.
Megjithatë, udhëheqës të tjerë evropianë kanë shfaqur rezerva. Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se është ende herët për të folur për lehtësimin e sanksioneve:
“Është shumë herët për të folur për këtë çështje,” – deklaroi Costa.
Edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se çdo hap i tillë duhet të kushtëzohet nga ndryshime konkrete në sjelljen e Iranit:
“Ne besojmë se heqja e sanksioneve duhet të kushtëzohet nga verifikimi i deeskalimit, në veçanti nga përparimi në përpjekjet ndërkombëtare për të kufizuar kërcënimin bërthamor dhe një ndryshim në represionin ndaj popullit të Iranit,” – tha ajo.
Nga ana tjetër, zyrtarë amerikanë kanë sugjeruar se një marrëveshje gjithëpërfshirëse që mbulon programet bërthamore dhe balistike të Iranit, si dhe hapja e Ngushticës së Hormuzit, mund të krijojë bazat për një paqe të qëndrueshme.