Mediat e njohura ndërkombëtare, si “Reuters” dhe “The Washington Post”, kanë raportuar pasi Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi tre serbë për pjesëmarrje në sulmin terrorist në Banjskë gjatë shtatorit të vitit 2023.
Në një artikull të publikuar, “Reuters” shkruan:
“Një gjykatë në Prishtinë të premten dënoi tre burra për akuza terrorizmi lidhur me një sulm në vitin 2023 në veri të Kosovës, kur persona të armatosur serbë sulmuan një fshat dhe u përleshën me policinë në një shkëmbim zjarri që la të vrarë katër persona, përfshirë një polic.
Gjykata dënoi Blagoje Spasojevic dhe Vladimir Tolic me burgim të përjetshëm, ndërsa Dusan Maksimovic me 30 vjet burg”.
Në raportim theksohet se mbi 40 persona të tjerë janë pjesë e aktakuzës, por mbeten në arrati dhe të fshehur në Serbi.
Ndërkohë, “The Washington Post” thekson se krimineli serb dhe lideri i grupit, Milan Radoicic, ndodhet ende i lirë.
“Ndër ata që ende janë në arrati është edhe lideri i grupit, Milan Radoicic, një politikan dhe biznesmen i pasur me lidhje me partinë populiste në pushtet në Serbi dhe me presidentin Aleksandar Vucic.
Serbia e ndaloi përkohësisht Radoiçiçin pas të shtënave, duke e akuzuar për komplot kriminal dhe posedim të paligjshëm të armëve. Megjithatë, ai nuk është nxjerrë në gjyq pavarësisht presionit nga zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Ai është vendosur nën sanksione nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për aktivitete të dyshuara kriminale financiare”, thuhet në artikull.
“Të akuzuarin Blagoje Spasojevic e gjykoj me dënim me burgim të përjetshëm. Në dënimin e shqiptuar me burgim i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit. Të akuzuarin Vladimir Tolic e gjykoj me dënim me burgim të përjetshëm. Në dënimin e shqiptuar me burgim i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit. Të akuzuarin Dusan Maksimovic e gjykoj me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 30 vitesh. Në dënimin e shqiptuar me burgim i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit”, ka thënë gjyqtari gjatë leximit të verdiktit.
Tutje, gjyqtari ka bërë të ditur se të dënuarve u vazhdohet masa e paraburgimit.
“Të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, me aktvendim të veçantë, u vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi. Konfiskohen sendet e sekuestruara, përkatësisht mjetet që kanë mundësuar kryerjen e veprës penale”, ka thënë ai.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 11 shtator 2024, ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoicic dhe 44 personave të tjerë për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Të akuzuarit ngarkohen se, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Kosovës dhe t’ia bashkojnë Serbisë.
Si rezultat i dhunës së përdorur, ka mbetur i vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku, ndërsa është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe e popullatës civile.