Frank Lampard ka rikonfirmuar përkushtimin e tij ndaj Coventry City, pas spekulimeve se ai mund të rikthehet për një mandat të tretë te Chelsea FC.
Pasi udhëhoqi skuadrën drejt titullit në Championship dhe promovimit në Premier League, legjenda e “Blues” theksoi se është i fokusuar te suksesi aktual dhe jo te vendi i lirë pas shkarkimit të Liam Rosenior.
Lampard ka kaluar një periudhë transformuese në “CBS Arena” që nga emërimi i tij në nëntor 2024, duke fituar 44 nga 80 ndeshje në krye dhe duke siguruar rikthimin në elitë.
Pavarësisht lidhjes së fortë emocionale me klubin londinez, ai i hodhi poshtë shpejt zërat për rikthim gjatë një konference për shtyp para ndeshjes së së dielës ndaj Wrexham AFC. Ndërkohë që Chelsea po kalon një seri të dobët prej pesë ndeshjesh pa shënuar gol, Lampard mbetet nën kontratë me Coventry deri në qershor 2027 dhe është i fokusuar te festimet për titullin.
Trajneri 47-vjeçar shmangu komentet mbi rrethanat e largimit të Roseniorit, duke kujtuar përvojën e tij në stolin e “Stamford Bridge”. Ai theksoi se krenaria e tij vjen nga “viti i veçantë” që ka ndarë me tifozët dhe skuadrën e Coventryt.
I pyetur nga Sky Sports për mundësinë e rikthimit te Chelsea dhe situatën aktuale të ish-klubit të tij, Lampard tha:
“Definitivisht nuk dua të flas për Liamin dhe Chelsean, sepse kam qenë aty dhe nuk dua të komentoj shumë për trajnerët për shkak të rrethanave pas skenave. Mendoj se është mungesë respekti të gjykosh. Kjo është punë për analistët. Unë jam trajner i Coventryt, po e shijoj momentin tonë me promovimin dhe titullin, dhe kaq.”
Ai shtoi:
“Është një periudhë e vështirë, pa dyshim, dhe ne si trajnerë e dimë se çfarë pasojash mund të ketë. Si klub, ata po kalojnë një moment të vështirë, por kanë ende mundësi të nxjerrin diçka nga sezoni me FA Cup dhe pozicionin në ligë. Chelsea është një pjesë e madhe e jetës sime, por tani është puna e tyre, ndërsa puna ime është këtu.”
Pavarësisht suksesit, pyetjet për të ardhmen afatgjatë të Lampard vazhdojnë, teksa ai po i afrohet fundit të kontratës aktuale. Trajneri kërkon që fokusi të mbetet te arritjet aktuale dhe jo te spekulimet.
“Do të doja që tifozët e Coventryt thjesht të shijonin atë që kemi arritur këtë sezon. Në futboll shumë gjëra nuk janë nën kontrollin tënd. Unë jam krenar që jam pjesë e këtij sezoni fantastik. Nuk ka pasur diskutime, ndaj po vazhdoj punën time dhe po i shijoj këto javët e fundit,” përfundoi ai..