Skandali që ka shpërthyer në Itali me dizenjatorin e gjyqtarëve të Serisë A, i cili përzgjidhte gjyqtarë të cilët i pëlqenin Interit, ka qenë tema e ditës përtej Adriatikut, dhe këtë temë e ka trajtuar në një postim në rrjete sociale edhe Ministri për Sportin në Itali, Andrea Abodi, duke paralajmëruar masa nëse verifikohen akuzat.
“Ekziston vetëm një mënyrë për të mbrojtur sistemin sportiv në të gjitha aspektet e tij dhe për të respektuar tifozët, entuziastët dhe dashamirësit e sportit, duke filluar me futbollin: transparencë, veprim në kohë dhe trajtim të barabartë kur përballen me akuza për mosrespektim të rregullave sportive, veçanërisht kur ato kanë implikime të mundshme penale. Dhe ta bëjmë gjithmonë dhe me të gjithë!
Lexova, si të gjithë ju, zhvillimet që dolën nga hetimi i Prokurorisë të Milanos, i cili filloi me ankesën e një ish-anëtari të Shoqatës Italiane të Gjyqtarëve. Duke i lënë autoritetet gjyqësore të bëjnë punën e tyre dhe pa dashur të futem në meritat e veprimeve të dizenjatorit Roki, aspekti më i rëndë që del është mënyra se si u trajtua vetë ankesa brenda sistemit të futbollit.
Deri më tani, nuk ka pasur asnjë përgjigje publike, ashtu siç nuk e dimë se kush e mori ankesën dhe cili organ u caktua për të verifikuar ekzistencën e saj.
Prandaj pres që të marr informacion zyrtar nga Komiteti Olimpik lidhur me këtë çështje sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse vërtetohen përgjegjësitë, nuk mund të mos ketë pasoja”, tha ai, duke lënë të kuptohet se do të ketë masa edhe nga shteti kundër përgjegjësve që sipas tij ishin edhe brenda institucionit të futbollit përtej Rokit.