Gianluca Rocchi ka vendosur të tërhiqet përkohësisht nga roli i tij si drejtues i gjyqtarëve në Serie A dhe Serie B, pasi është vënë nën hetim për dyshime mbi mashtrim sportiv.
Ky zhvillim vjen pas një njoftimi zyrtar nga prokuroria në Milano, që ka shkaktuar një debat të madh në futbollin italian.
Rocchi, i cili mbikëqyr caktimin e gjyqtarëve përmes Shoqatës së Gjyqtarëve Italianë, ka vendosur të pezullojë veten deri në sqarimin e plotë të çështjes.
Sipas “CalcioMercato”, vendimi është marrë në koordinim me organet përkatëse dhe përpara një vendimi nga komiteti kombëtar i arbitrazhit.
Vetë Rocchi reagoi duke shprehur besim në pafajësinë e tij: “Jam i sigurt se do të dal i pastër dhe më i fortë se më parë”.
Ky hap synon të ruajë integritetin e sistemit të arbitrimit gjatë një periudhe delikate dhe me vëmendje të lartë publike. Çështja mbetet në zhvillim dhe priten të tjera detaje në ditët në vijim.