Një takim për të analizuar momentin aktual dhe për të projektuar të ardhmen, mëngjesin e djeshëm, në “Casa Milan” u zhvillua një mbledhje mes trajnerit Masimiliano Alegri dhe drejtuesve të Milanit, administratorit deleguar Xhiorxhio Furlani dhe drejtorit sportiv Igli Tare.
Bëhet fjalë për një takim rutinë, si ai i zhvilluar javën e kaluar në Milanelo, dhe që do të përsëritet sërish edhe sot në qendrën stërvitore, ku Furlani do të takojë grupin dhe stafin teknik.
ÇFARË KËRKON ALEGRI PËR TË ARDHMEN Në fund të sezonit, temat për diskutim nuk mungojnë. Nga ndeshjet e mbetura, duke nisur nga përballja e rëndësishme ndaj Juventus, që janë vendimtare për objektivin Champions, deri te planet për sezonin 2026-27.
“Duhet të mendojmë jo për dy-tre muajt e ardhshëm, por për një ose dy vite”, ishte deklarata e Alegrit para ndeshjes me Veronën.
Trajneri është i bindur se Milani nuk është prapa në projektin e tij dhe këto takime shërbejnë pikërisht për të përcaktuar strategjitë e së ardhmes, përfshirë edhe merkaton.
”Kam nisur një rrugëtim këtu dhe dua ta vazhdoj”, kishte theksuar ai pas fitores së fundit.
Në këtë drejtim, pas punës së bërë këtë sezon, ku skuadra është ngjitur nga vendi i nëntë në të dytin, Alegri kërkon garanci për investime në lojtarë cilësorë dhe me eksperiencë. Për të vazhduar rritjen, Milani ka nevojë për përforcime të nivelit të lartë.