Një incident i pazakontë ka shënuar festën e promovimit të York City FC, pasi policia ka nisur hetimet për një video virale ku një futbollist shihet duke goditur një tifoz që kishte hyrë në fushë.
Sipas raportimit të talkSPORT, Policia ka konfirmuar se është në dijeni të videos dhe ka nisur verifikimet për rastin.
York siguroi rikthimin në nivelet më të larta të futbollit anglez në mënyrë dramatike, duke barazuar në minutën e 102-të të ndeshjes.
Më herët, Rochdale AFC kishte menduar se kishte siguruar fitoren me golin e minutës së 95-të, por York reagoi në momentet e fundit për të marrë një pikë vendimtare dhe për të siguruar titullin.
Si pasojë, Rochdale, që përfundoi sezonin me plot 106 pikë, do të detyrohet të kërkojë promovimin përmes “play-off”-it.
Pas përfundimit të ndeshjes, emocionet shpërthyen dhe fusha u pushtua fillimisht nga tifozët e Rochdale dhe më pas nga ata të Yorkut. Në mesin e festës, mesfushori Hiram Boateng u pa i ulur në gjunjë pas vërshëllimës përfundimtare.
Sipas talkSPORT, një tifoz – për të cilin nuk është e qartë nëse ishte mbështetës i Rochdale apo York – i është afruar dhe duket se ka vendosur duart mbi Boateng. Futbollisti më pas është liruar dhe në pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale, shihet duke reaguar fizikisht ndaj tifozit.
Në një deklaratë për talkSPORT, një zëdhënës i policisë tha:
“Jemi në dijeni të një videoje që po qarkullon dhe që lidhet me një sulm të mundshëm ku përfshihet një lojtar. Kemi kontaktuar me të dy klubet dhe Ligën Kombëtare.
Do të vazhdojmë të analizojmë pamjet dhe të shqyrtojmë regjistrimet e kamerave të sigurisë.”
Rasti pritet të hetohet në detaje, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë pasoja disiplinore apo ligjore për ngjarjen që ka errësuar festën e promovimit të York City.